Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministër i vendit, Edi Rama, ka mbledhur pasditen e kësaj të enjteje drejtuesit politikë të PS-së dhe kryetarët e Komisioneve Parlamentare, për të diskutuar rreth “Pranisë Besnike” – aneks i Dokumentit Strategjik BESA.
Gjatë fjalës së tij, Rama iu përgjigj kritikëve që pyesin pse Partia Socialiste synon të vijojë të qeverisë edhe pas 13 vitesh në pushtet.
Rama u ndal edhe te protestat dhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke theksuar se nuk do të largohej nga detyra vetëm sepse këtë e kërkon pakica.
Rama: Këtu vjen një pyetje që me siguri mbase askush nuk e bën në këtë sallë, por e bëjnë njerëz që po na ndjekin. Po pse doni të qëndroni më gjatë, pse nuk thoni boll e t’ia lini vendin të tjerëve? Ose mund të mos e bëjnë fare si pyetje, por ta thonë copë si urdhër. Po çfarë më gjatë, po ishalla vdisni një orë më parë. Çohuni që aty e ikni nëpër shtëpia. Pyetjet janë legjitime. Dëshirat dhe urdhrat janë shprehje lirie, mallkimet dhe sharjet nuk i konsideroj. Do të shtoja se, pas 13 vitesh në qeverisje, pse doni të qëndroni akoma? Kjo është pyetja më legjitime.
Së pari, duket e çuditshme, por duhet thënë që kjo është demokracia dhe një parti nuk e trashëgon pushtetin. PS ushtron pushtetin sipas Kushtetutës për aq kohë sa populli ia ka dhënë, ka votat në Kuvend. Ata thonë se flasin në emër të popullit, pretendojnë se janë populli, por ata s’janë populli dhe ne këtu s’jemi populli. Të gjithë jemi pjesë e tij, mund të përfaqësojmë popullin nëse ai na e jep atë mandat. As unë, që e kam me vulë dhe firmë mandatin për të përfaqësuar Shqipërinë në emër të popullit, s’e kam tagrin për këtë. Atë e thotë vetëm populli.
Nga ana tjetër, e kam tagrin për të vendosur nëse duhet t’i dëgjoj apo jo thirrjet apo këngët që këndojnë poshtë zyrës sime: “Rama, jep dorëheqje”. Në çdo çast dhe rrethanë, të largohesh nga detyra që të ka ngarkuar shumica vetëm se e kërkon pakica, është braktisje e një përgjegjësie shumë të madhe. Nëse largohesh, do të ishte shpërfillje. Kushdo le të këndojë kur të dojë, le të pushojë. Unë ua kam thënë, mua nuk më intereson fare roli i kryeministrit si kohë qëndrimi në pushtet, më interesojnë vetëm veprat, përmbyllja në BE.
/vizionplus.tv





