Kryeministri Edi Rama deklaroi pasditen e kësaj të enjteje, në një takim me drejtuesit politikë të PS-së dhe krerët e komisioneve, se për Shqipërinë ka vetëm një rrugë: anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ai tha se PS-ja nuk kërkon të qëndrojë historikisht në pushtet, por kërkon të bëjë dhe të çojë deri në fund përgjegjësitë që i ka lënë mbi shpatulla historia, atë të anëtarësimit në BE brenda vitit 2030.
“Shqipëria sot është në udhëkryqin e fundit që e lidh me rrugën për në shtëpinë e madhe të Europës. Për herë të parë dera shikohet me sy në kalendar. Ajo shtëpi nuk është më vetëm një dritë që herë duket e zhduket, por është para nesh, është reale, njësoj si dyert e kësaj godine.
Por, nga ana tjetër, dihet botërisht se nuk rri hapur në pafundësi, por hapet njëherë në çdo brez dhe mbyllet pa pyetur askënd.
Pikërisht tani, para derës së hapur, Shqipëria nuk mund t’i lejojë vetes të vijë vërdallë apo të ndryshojë drejtim në mes të rrethrrotullimit.
Ta themi qartë, që të mos keqkuptohet nga askush, të paktën jo nga ata që nuk duan ta keqkuptojnë: kjo nuk është beteja e PS-së për të mbetur në pushtet, është beteja e Shqipërisë për të zënë vend në sofrën e Europës së Bashkuar.
Ne nuk kërkojmë pronësinë e historisë, por do të mbajmë përgjegjësinë që historia na ka vënë mbi supe.
Kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk duhet të njohë rotacionin, sepse atë nuk e caktojmë ne. Detyra që kemi marrë nga populli është që në vitin 2030 ta gjejë Shqipërinë në derën e Europës”, tha Rama.





