Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin e horoskopit në emisionin “Mes’dritë”, në Vizion Plus, me dyshen e moderatorëve Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Më 12 gusht, gushti fillon të marrë “ngjyrën” e tij të re. Ai nis me një eklips të plotë dielli te Luanët rreth orës 19:30 – 20:00. Po atë ditë, Marsi hyn në Gaforre, gjë që kërkon kujdes me çështjet materiale. Eklipsi i diellit lidhet gjithmonë me materien dhe fizikun tonë.
Gushti mbyllet me një tjetër eklips më 28 gusht, eklipsin e hënës te Peshqit, i cili lidhet me boshtin emocional. Për fat, po atë ditë Dielli do të jetë te Virgjëresha, duke na ndihmuar të vendosim pikat mbi “i” dhe të projektojmë seriozisht vjeshtën. Marsi do të qëndrojë te Gaforrja nga 12 gushti deri më 25-26 shtator, duke nxjerrë si prioritete: familjen, pronat dhe bashkëpunimet.
Data 3 gusht do të jetë shumë e rëndësishme për të na qetësuar lidhur me pikëpyetjet profesionale që mund të kenë lindur që nga fundi i korrikut. Transformimi dhe përshtatja me situatat e reja është e domosdoshme, përndryshe do të ketë nervozizëm dhe lodhje.
Venusi do të jetë te Peshorja nga data 7 gusht, duke na ndihmuar të rregullojmë raportin me veten, por duhet pasur kujdes nga arroganca. Mërkuri do të jetë te Luani nga data 10 deri më 25 gusht, duke e bërë komunikimin më të sinqertë dhe të vërtetë.
Dashi
Nga data 12 gusht deri më 26 shtator, është një periudhë e mirë për t’u marrë me çështje pronësie, shitblerje, dokumente, trashëgimi dhe testamente. Eklipsi i diellit kërkon kujdes në raportet personale, sidomos për gjininë mashkullore në familje. Bëni kujdes me menaxhimin e raporteve, pasi eklipsi i hënës mund të shënojë mbyllje të tyre. Dashuritë e verës do të jenë entuziaste, por jo domosdoshmërisht serioze.
Demi
Eklipsi i diellit i datës 12 do të nxjerrë në sipërfaqe lodhjen dhe problematikat e mbartura me punën që nga fundi i majit. Merreni shtruar dhe pushoni. Marsi te Gaforrja do t’ju ndihmojë shumë në çështjet profesionale, sidomos nga data 22 gusht deri më 9 shtator. Edhe pse fundi i muajit mund të mos duket shumë optimist në aspektin personal, fokusi duhet të mbetet te karriera dhe ekonomia.
Binjakët
Për Binjakët e gatshëm për ndryshim, ditët e para të gushtit (2-3 gusht) janë shumë pozitive. Eklipsi i diellit do të kërkojë vëmendjen tuaj drejt rrethit social dhe miqve që kanë nevojë për mbështetje. Ata që kanë lindur në dhjetëditëshin e tretë duhet të mbajnë fokusin te karriera. Rekomandohet që pushimet t’i nisni pas datës 10 gusht.
Gaforrja
Stresi dhe pikëpyetjet për punën do të jenë prezentë deri më 12 gusht.Pas kësaj date, energjia juaj do të kanalizohet drejt profesionit me shumë dëshirë për ndryshim. Periudha 15-28 gusht do të jetë shumë e rëndësishme. Mërkuri te Luani do ta bëjë fjalën tuaj më potente. Eklipsi i hënës në fund të muajit mund të sjellë pakënaqësi me miqtë ose të afërmit, duke e bërë fundin e muajit intensiv në ritëm dhe ngarkesë emocionale.
Luani
Eklipsi i diellit ndodh në shenjën tuaj më 12 gusht. Kujdes me shëndetin dhe ushqimin, pasi mund të keni shqetësime të vogla ose pasiguri. Marsi te Gaforrja ju jep mundësinë të mbyllni shqetësimet e mbartura që nga shkurti. Jupiteri në shenjën tuaj do t’ju mbështesë që të mos “rrëzoheni” gjatë rrugëtimit tuaj. Komunikimi do të jetë spontan dhe i vërtetë, pa shkaktuar hatërmbetje.
Virgjëresha
Periudha nga 10 deri më 25 gusht do të ketë zhvillime të forta, zgjidhje problemesh, shumë lëvizje dhe plane për vjeshtën. Mund të merreni me rregullimin e shtëpisë ose aktivitete që ju pëlqejnë. Bëni kujdes me gjykimin ndaj të tjerëve rreth datës 12 gusht, për të mos humbur njerëz të rëndësishëm. Eklipsi i hënës do të sjellë racionalitet në jetën personale, duke ju dhënë qetësi në ndërgjegje.
Peshorja
Venusi hyn në shenjën tuaj më 7 gusht. Eklipsi i diellit prek ekonominë, ndaj bëni kujdes me shpenzimet dhe këmbimet monetare rreth datës 12 për të shmangur keqkuptimet. Mund të keni anulime planesh profesionale, por kjo do të jetë për mirë. Është një moment shumë i mirë për vendime serioze lidhur me zgjerimin e familjes dhe pjekurinë emocionale.
Akrepi
Eklipsi mund të sjellë shqetësime të vogla me humorin ose me figurën e babait. Do t’ju duhet të përshtateni me një rutinë të re profesionale pas datës 13 gusht. Marsi te Gaforrja favorizon bashkëpunimet dhe prurjet e reja në punë, por mbi të gjitha favorizon jetën personale, duke i dhënë ngjyra të forta ndërveprimit tuaj emocional.
Shigjetari
Eklipsi i diellit mund të sjellë grindje ose tensione të vogla në raportet personale, por pa dëme të mëdha. Kujdes si i gjykoni njerëzit me të cilët bashkëjetoni gjatë eklipsit të hënës. Në përgjithësi do të jetë një muaj produktiv. Nëse keni marrë vendime deri më 12 gusht, vazhdoni me to; rutina do të vijë duke u zbukuruar. Marsi do të sjellë qëndrueshmëri dhe një ritëm pak më të ngadaltë.
Bricjapi
Këshillohet që deri më 10 gusht të qëndroni larg punës dhe telefonit për të rikuperuar qetësinë. Pas datës 12, intensiteti i punës dhe obligimet do të rriten ndjeshëm deri në fund të shtatorit. Venusi te Peshorja do t’ju bëjë të ndiheni disi të distancuar emocionalisht, por do ta shijoni vëmendjen e të tjerëve. Komunikimi me bashkëpunëtorët do të jetë shumë intensiv në mes të muajit.
Ujori
Eklipsi i diellit ndodh përballë jush. Ata që kanë lindur më 9, 10 dhe 11 shkurt duhet të bëjnë kujdes me lëvizjet e nxituara dhe komunikimin me familjarët. Pasiguritë në profesion mbyllen më 11 gusht, dhe nga data 12 do të punoni me një axhendë të ngjeshur, por në një territor më të sigurt. Komunikimi midis datave 10 dhe 25 gusht do të jetë çelësi për të ndarë idetë dhe pakënaqësitë.
Peshqit
Të dy eklipset ndikojnë drejtpërdrejt te ju. Eklipsi i diellit mund të sjellë humbje sendesh ose portofoli, ndaj Meri sugjeron që “t’ia lini fatit” duke zgjedhur të humbisni peshë (kile) në vend të gjërave të tjera. Shqetësimet në punë do të zgjasin deri më 12 gusht, por pas kësaj date do të jeni më të strukturuar. Nëse kërkoni një punë apo profesion të ri, periudha nga 12 gushti deri më 26 shtator është momenti perfekt.
/vizionplus.tv





