“Mjaft me përdorimin e emrit tim për klikime”, në gjyq për evazion fiskal, reagon Xhensila Myrtezaj: Të ardhurat e mia janë të ligjshme, karrierën e kam ndërtuar me punë

Pas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Tiranës se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, nën akuzën e fshehjes së të ardhurave më shumë se një herë, ka ardhur edhe reagimi i saj publik.
Përmes një deklarate, këngëtarja mohon akuzat dhe pretendon se të gjitha të ardhurat e saj janë të ligjshme, të faturuara dhe të deklaruara në sistemin tatimor. Ajo paralajmëron gjithashtu se do të ndjekë rrugën ligjore ndaj kujtdo që, sipas saj, përhap informacione të pavërteta për të.
Myrtezaj thekson se dërgimi i çështjes për gjykim nuk përbën vendim fajësie dhe rikujton parimin e prezumimit të pafajësisë. Ajo thotë se do të paraqesë dokumentet dhe provat për të kundërshtuar akuzat përpara organeve të drejtësisë.
Në reagimin e saj, këngëtarja kundërshton gjithashtu pretendimet për fshehje pasurie dhe blerje pronash me burime të pajustifikuara, duke deklaruar se nuk ka fshehur të ardhurat dhe se ka bashkëpunuar me organet tatimore dhe të drejtësisë.
Reagimi i plotë i Xhensila Myrtezajt
Deri më sot kam zgjedhur të hesht. Mjaft me përdorimin e emrit tim për klikime dhe përfitime. Ndaj kujtdo që shpik ose përhap të pavërteta për mua, do të veproj në rrugë ligjore. Do ta bëj këtë me qetësi dhe vendosmëri, në mbrojtje të emrit dhe të dinjitetit tim.
E drejta për mbrojtjen e dinjitetit, të emrit dhe të imazhit tim garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga ligji. Askush nuk ka të drejtë t’i cenojë ato me tituj të pavërtetë.
Unë nuk kam fshehur asnjë të ardhur. Të ardhurat e mia janë të ligjshme dhe vijnë nga veprimtaria artistike që ushtroj prej shumë vitesh. Ato janë faturuar përmes subjektit tim tatimor dhe janë lehtësisht të gjurmueshme në sistemin bankar. Me aktet dhe provat zyrtare që disponojmë, së bashku me studion ligjore që më përfaqëson, do të provojmë vërtetësinë e të ardhurave të mia dhe do të kundërshtojmë çdo akuzë dhe pretendim të ngritur ndaj meje.
Figurën time publike e kam ndërtuar për më shumë se një dekadë me punë. Sakrificë dhe korrektësi ndaj publikut, shtetit dhe ligjit. Karrierën time e kam ndërtuar me punën artistike dhe me respekt për publikun. Nuk do të lejoj kurrë që figura ime të njolloset nga tituj mediatikë të paverifikuar dhe të pavërtetë.
Akuzat që ngrihen nuk janë vendime gjykate. Kërkesa e Prokurorisë për deklarime të pasakta përmban pretendimin e njërës palë. Unë prezumohem e pafajshme derisa fajësia të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë, sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Titujt që e paraqesin evazionin si fakt të provuar e shkelin këtë parim.
Të ardhurat e mia janë faturuar në sistemin e shtetit shqiptar. Nuk ka mosdeklarim të të ardhurave. Nuk mund të fshihet ajo që ndodhet në sistemin e vetë administratës sonë tatimore.
Akuzat që ngrihen nuk kanë të bëjnë me pasuri të krijuara prej meje. Shkrimet për ‘fshehje pasurie’ apo për ‘blerje pronash me burime të pajustifikuara’ janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë realitetin.
Kam bashkëpunuar plotësisht me organet tatimore dhe me organet e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë, duke u vënë në dispozicion çdo dokument që kërkojnë për zbardhjen e së vërtetës.
Çdo titull i pavërtetë dhe çdo foto e imja e përdorur për të ilustruar një akuzë të paprovuar më shkakton dëm moral, profesional dhe familjar. Emri im nuk është material për klikime. Jeta ime, puna ime dhe familja ime preken drejtpërdrejt nga këto publikime të pasakta.
U kërkoj mediave dhe portaleve të mos përdorin emrin dhe figurën time në tituj që nuk pasqyrojnë të vërtetën.
Nuk do të bëj më komente publike. Përgjigjen time do t’ua jap organeve të drejtësisë, ku do të paraqes provat se çdo e ardhur e imja është e ligjshme dhe e deklaruar sipas ligjit.






