Nga Mimoza Ibra
Tregtia online ka njohur një rritje të madhe në Shqipëri në 5 vitet e fundit. Pandemia e ktheu atë në një rutinë të përditshme dhe sot veshjet, aksesorët, por edhe ushqimet po blihen masivisht online. Por gjithë kjo rritje e tregtisë online po shoqërohet edhe me një informalitet të lartë.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thotë se në 5 vite blerjet online janë pesëfishuar. Por Administrata Tatimore, në planin e hartuar për formalizimin e këtij tregu, pranon faktin se pagesa në dorëzim krijon një hapësirë të konsiderueshme risku: Transaksioni kryhet në rrugë dixhitale, por shlyerja ndodh me para në dorë, duke lejuar fshehjen e qarkullimit dhe shmangien e detyrimeve tatimore.
Tatimet kanë identifikuar rreth 2 mijë subjekte në informalitet.
“Formalizimi është shumë i thjeshtë, mjafton të jetë vullneti dhe të zbatohet ligji. Prej më shumë se 1 dekade ne e kemi kërkuar këtë gjë vazhdimisht, sepse është një nga tregjet më informale dhe ka dëmtuar apo penguar bizneset që kanë dashur të investojnë, sepse kanë parë një treg masivisht informal. Formalizimi është shumë i thjeshtë, përmes postave, duke paralajmëruar çdo subjekt që bën një transaksion financiar përmes postës, pra kur ti dërgon një pako dhe pret paratë mbrapsht.”, thot Rezart Lahi, ekspert për tregtinë online.
Njohës të tregut thonë se deri më sot blerësit online kanë qenë të pambrojtur.
“Formalizimi mbron edhe konsumatorin. Nëse një konsumator ka marrë kuponin tatimor, ai ka të drejtë të ankohet nëse nuk i janë respektuar të drejtat bazike, siç mund të jetë kthimi i produktit brenda 14 ditësh, nëse nuk është ashtu siç ti e prisje. Por nëse ti nuk ke marrë asnjë kupon tatimor, të humb edhe e drejta e klientit, sepse ti je bërë pjesë e atij informaliteti.”
Tatimet do ta nisin aksionin e tyre për formalizimin e tregtisë online përmes ndërgjegjësimit, për të vijuar më pas me njoftime e nxitje dhe verifikime e kontrolle në terren.
/vizionplus.tv





