Vetëm dy javë përpara finales së madhe të 15 qershorit, nata e njëzetë prime e “Ferma VIP” 3 solli zhvillime të forta, përjashtime nga gara, debate të ashpra, surpriza dhe vendime që ndryshuan dinamikën e lojës.
Mbrëmja nisi me një lajm të papritur. Pak minuta para fillimit të spektaklit, moderatorja Arbana Osmani u komunikoi fermerëve vendimin e Agait për përjashtimin e menjëhershëm të Sorginit nga gara. Shkak u bë një informacion i dhënë nga jashtë, një shkelje e rëndë kjo e rregullores së formatit.
Ndërkohë, televotimi i hapur prej së premtes për tre fermerët që po ashtu kanë thyer disa rregulla në fermë, mbajti gjatë nën ethet Zhakun, Ilirin dhe Sarën.
Pavarësisht pritshmërive për një eliminim, loja solli një tjetër kthesë. Televotimi u shty, ndaj publiku do të vazhdojë të votojë deri të premtem, kur njëri prej tyre do të lërë përfundimisht fermën.
Gjatë kësaj jave nuk kanë munguar as përplasjet të cilat morën edhe më shumë zë gjatë spektaklit.
Një nga debatet më të komentuara ishte ai mes Sonit dhe Zhakut, pasi kjo e fundit deklaroi se Soni kishte ndjenja për Ilirin.
Komentet e saj ndezën diskutime jo vetëm mes fermerëve, por edhe në studio, ku opinionistët u përfshinë në analizën e situatës dhe pasojave që deklarata të tilla sjellin në lojë.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte hyrja e moderatorit dhe gazetarit të njohur Adi Krasta. Për herë të parë në karrierën e tij, Krasta u bë pjesë e një reality show, duke thyer kështu një nga tabutë e tij personale.
Ai nuk hyri si konkurrent, por në rolin e intervistuesit, ku kishte të drejtë t’i drejtonte nga një pyetje secilit prej fermerëve të mbetur në lojë.
Në qendër të diskutimeve mbeti edhe zgjedhja e Vis Pupës si fermeri më i preferuar i publikut. Ky vlerësim nuk u prit mirë nga Mimoza Ahmeti, e cila vazhdoi të shprehte rezervat e saj ndaj lojës së aktorit.
Visi, nga ana tjetër, mbrojti strategjinë dhe zgjedhjet e tij, duke theksuar se çdo veprim ka qenë në përputhje me karakterin e tij. Debati mes tyre solli një tjetër moment reflektimi mbi kufirin mes rolit dhe personalitetit real në një format si Ferma VIP.
Nata e 20-të prime konfirmoi se rruga drejt finales së 15 qershorit do të jetë e mbushur me emocione, përplasje dhe surpriza deri në momentin e fundit.





