Policia e Krujës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Kushtet”, duke arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike në fshatin Zgërdhesh.
Operacioni u zhvillua pas një hetimi me metoda proaktive nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Në pranga ranë shtetasit Kastriot Bazja 52 vjeç dhe Astrit Seferi, 54 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë, të cilët u kapën në parcelën ku kishin kultivuar dhjetëra bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Sipas Policisë, të dy të arrestuarit kanë precedentë penalë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Gjatë kontrollit, efektivët konstatuan se, përveç bimëve të kultivuara, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies, autorët po përgatiteshin të kultivonin edhe bimë të tjera në të njëjtin terren.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore.
Policia e Krujës u bën thirrje qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave rurale, që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për përshtatje të sipërfaqeve të tokës për kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar se bashkëpunimi i komunitetit është thelbësor për goditjen e këtij fenomeni.
/vizionplus.tv





