Viti që lamë pas ka shënuar vlerat më të ulëta historike të normave të interesit në tregun financiar, çka do të thotë se shqiptarët kanë përfituar pak ose aspak nga kursimet e tyre. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e depozitave në lekë, me afat një vjeçar arriti në 0.94% ndërsa për bonot e thesarit në 2.3%. Drejtori i politikës monetare në bankën Qendrore, Erald Themeli, në një interviste për Vizion Plus thotë se ky fakt ka bërë që qytetarët të orientohen drejt investimeve me afat maturimi mbi 2 vjeçar.
“Për sa kohe ulja e normës së interesit ul atraktivitetin e instrumentit tipik të depozitave, ka patur qytetarë që kanë gjetur forma të tjera. Në 2018 ka dominuar zhvendosja e depozitave nga afat maturimi nën dy vjet, në mbi 2 vjet. Depozitat me afat nën dy vite ranë me 17 miliard lekë, ndërsa ato me afat maturimi mbi dy vjet u rriten me 21 miliardë. Kjo tregon një tendencë të qytetareve për të gjetur forma dhe rrugë pak më të leverdishme drejt afateve me të gjata dhe kthim më lartë. Ka vijuar edhe trendi drejt investimit të letrave me vlerë në bono apo obligacione. Por kjo tendencë ka qenë më e zbutur pasi, qeveria ka zhvendosur huamarrjen në tregjet ndërkombëtare, nëpërmjet emetimit të eurobondit, pra është reduktuar huamarrja në tregun e brendshëm”- thotë Themeli.”
Por paralelisht me këtë fakt, nuk ka njohur rënie depozitimi i kursimit të shqiptarëve në valutë, konkretisht në euro, edhe pse Banka e Shqipërisë ka nisur një fushatë deeuroizimi në vend.
“Trendi i depozitave në valutë ka qenë në vijimësi si në dy apo tre vitet e fundit, pra kursimet në valute kane vijuar të rriten, pavarësisht nismave që ka marre banka për reduktimin e tyre. Duket se vijon preferenca e individëve ndaj kësaj alternative dhe se sistemi bankar shfaq një nivel të lartë të depozitave në valutë.’
Normat e interesit në lekë duket se do të vijojnë të jetë të ulëta edhe gjatë këtij viti. Banka ka paralajmëruar se nuk do të ketë ndryshim në tre muajt e parë të këtij viti, ndërsa më pas do të analizohet treguesit ekonomikë. Ndërsa nuk ka sinjale pozitive nga eurozona për rishikim të normës së interesit për euron gjatë këtij viti.
“Në harkun kohor të dy apo tre viteve banka e Shqipërisë do të marrë në mënyrë progresive një normalizim të politikës monetare. Momenti dhe shpejtësia kur ky trend do të fillojë janë subjekt i informacionit dhe analizave tona. Për momentin themi që deri ne tre mujorin e parë 2019 ne nuk do te ndërmarrim normalizim apo rishikim të normave të interesit.”
Që nga viti 2011 banka e Shqipërisë, ka ndërmarrë një lehtësim të politikës monetare, me qëllim stimulimin e financimit me kosto të ulët. Por ky vendim paralelisht ka efektin e kundërt tek kursimet, të cilat i bën më pak të leverdishme.