Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “Fast”, duke arrestuar në Durrës një 23-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Në pranga ra shtetasi Latif Biba, 23 vjeç, i cili akuzohet nga drejtësia italiane si pjesë e një grupi kriminal me veprimtari në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Breshias ka lëshuar ndaj tij një urdhër arresti në muajin mars 2026, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike”, të parashikuara nga Kodi Penal italian.
23-vjeçari u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ndërsa Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën për përfundimin e procedurave të ekstradimit.





