Bie numri i lindjeve në Fier, mjekët: Dy herë më pak fëmijë po vijnë në jetë

Fieri vijon të përballet nga viti në vit me një rënie drastike të numrit të lindjeve. Sipas shefit të Maternitetit të Fierit, Robert Luto, nga 2 mijë deri në 2 mijë e 500 lindje që regjistroheshin 5-vjeçarin e fundit, tashmë numri ka zbritur në rreth 1 mijë lindje në vit.
“Faktorët kryesorë janë lëvizjet demografike, emigracioni, zgjedhja e spitaleve private, por edhe orientimi i një pjese të nënave drejt materniteteve në Tiranë”, thotw Luto.
Luto thekson se vitet e fundit është rritur ndjeshëm edhe numri i lindjeve me operacion cezarian, të cilat tashmë janë më të shumta se lindjet natyrale.
“Kjo nuk është një prirje që vihet re vetëm në Shqipëri, por një trend i konsoliduar edhe në shumë vende të botës”, shton Luto.
Në rënie paraqitet edhe numri i aborteve. Nëse gjatë gjashtëmujorëve të parë të viteve 2024 dhe 2025 regjistroheshin rreth 300 raste vjetore, në 6- mujorin e parë të vitit 2026 ky numër ka arritur në rreth 100.
“Pjesa më e madhe e rasteve i përket vajzave dhe grave nga zonat rurale, nuk është regjistruar asnjë rast aborti te vajzat nën moshën 16-vjeçare”,sqaron Luto.
Shefi i Maternitetit të Fierit bën me dije se ky institucion vijon të presë edhe paciente nga qytete të tjera të vendit, të cilat zgjedhin Fierin për kryerjen e ndërprerjes së shtatzënisë.




