E mërkurë, 7 Tetor 2026 Lajmet e Fundit dhe Moti deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Agasi u ndoq me dron, zbardhet itinerari i Audit-t! Nga kompleksi në Durrës drejt Elbasanit, si u vunë në pranga Ergysi dhe Shpataraku

Zbardhet itinerari i automjetit Audi A6 me targa AB323JK, i cili u mbajt nën vëzhgim nga strukturat policore në kuadër të operacionit për lokalizimin dhe kapjen e Ergys Agasit, person i shpallur në kërkim.

Sipas raportit të vëzhgimit të administruar në dosjen hetimore, lëvizjet e automjetit nisën nga një kompleks vilash në Durrës, ku ishte lokalizuar Agasi, dhe vijuan në drejtim të Elbasanit. Pas një ndërprerjeje të vëzhgimit për rreth pesë orë, automjeti u konstatua sërish duke u kthyer në drejtim të Durrësit, ku u ndalua nga policia.

Reklamë

Ora 11:39 – Agasi del nga kompleksi

Në orën 11:39, gjatë monitorimit të kompleksit të vilave me ndihmën e një mjeti fluturues pa pilot, u konstatua një person që dyshohej të ishte Ergys Agasi.

Reklamë

Sipas raportit, personi ishte i veshur me bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza treçerekëshe. Ai doli nga ambientet e katit të dytë, zbriti drejt hollit në katin e parë dhe vijoi lëvizjen brenda kompleksit.

Ora 11:59 – Audi A6 hyn në kompleks

Rreth 20 minuta më vonë, në orën 11:59, vëzhguesit konstatuan hyrjen në kompleks të një automjeti Audi A6, ngjyrë e zezë, me portobagazh.

Automjeti hyri përmes portës kryesore dhe vijoi drejt parkimit nëntokësor. Për shkak të xhamave të errësuar, grupi i vëzhgimit nuk mundi të identifikonte personat që ndodheshin brenda automjetit.

Ora 12:02 – Agasi konstatohet në sediljen e pasagjerit

Në orën 12:02, Audi A6 doli nga parkimi nëntokësor i kompleksit.

Sipas raportit, në sediljen e përparme, në krah të drejtuesit të automjetit, u vu re një person me bluzë të bardhë, i cili, bazuar në të dhënat e disponuara dhe rrethanat e konstatuara, dyshohej të ishte Ergys Agasi.

Pas komunikimit me oficerin përgjegjës, automjeti u mbajt nën vëzhgim dhe nisi ndjekja e itinerarit të tij.

Ora 12:03 – Nisja drejt Elbasanit

Vetëm një minutë më vonë, në orën 12:03, automjeti me targa AB323JK vijoi lëvizjen nga kompleksi.

Sipas raportit, Audi kaloi në drejtim të Nishtullës, rrethrrotullimit të Shkozetit dhe më pas drejt Plepave. Automjeti vijoi në rrugët pranë shinave të trenit, duke dalë në rrugën e Plazhit në Durrës.

Nga zona e Plepave, Audi vijoi në drejtim të autostradës, duke marrë drejtimin për Kavajë, Rrogozhinë, Peqin dhe më pas Elbasan.

Ora 13:35 – Vëzhgimi ndërpritet në Bradashesh

Në orën 13:35, automjeti u konstatua pasi kishte kaluar rrethrrotullimin e Bradasheshit dhe kishte vijuar në drejtim të rrugës “Kadri Hoxha”.

Pranë tregut agroushqimor, automjeti u fut në një rrugicë në të djathtë. Pas komunikimit me oficerin, grupi i vëzhgimit nuk vijoi ndjekjen e drejtpërdrejtë të Audi-t.

Grupet e vëzhgimit u pozicionuan më pas pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit.

13:35–18:16 – Rreth pesë orë pa vëzhgim

Pikërisht ky interval është një nga elementët e evidentuar edhe nga gjykata në vlerësimin e saj.

Nga ora 13:35 deri në 18:16, raporti i vëzhgimit nuk jep të dhëna për lëvizjet e automjetit dhe personave që ndodheshin në të.

Gjykata ka vlerësuar se ky boshllëk duhet të sqarohet përmes veprimeve të mëtejshme hetimore, përfshirë verifikimin e kamerave të sigurisë, të dhënave të telefonave dhe gjetjen e personave që Shpataraku pretendon se ka takuar gjatë qëndrimit në Elbasan.

Ora 18:16 – Audi rikthehet në drejtim të Durrësit

Në orën 18:16, automjeti Audi A6 me targa AB323JK u konstatua duke dalë nga rruga “Kadri Hoxha”.

Automjeti vijoi nga rrethi i Bradasheshit në autostradë, në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës dhe Kavajës, duke marrë më pas drejtimin për Durrës.

Në afërsi të zonës së Plepave, në bashkëpunim me shërbimet e uniformuara të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u bë ndalimi i automjetit.

Ora 18:16 – Në makinë gjenden Agasi dhe Shpataraku

Pas ndalimit të Audi-t, policia konstatoi në sediljen e përparme të pasagjerit Ergys Agasin, i cili rezultonte person në kërkim.

Në drejtimin e automjetit ndodhej Uljan Shpataraku, i cili pas verifikimit u identifikua nga shërbimet e policisë.

Ky është momenti që çoi në arrestimin e Shpatarakut dhe vijimin e procedurave ndaj Agasit.

Itinerari i dokumentuar nga vëzhgimi policor përbën një nga elementët e rëndësishëm të çështjes, pasi sipas gjykatës nuk përputhet plotësisht me shpjegimet e dhëna nga Shpataraku.

Ky i fundit ka deklaruar se ishte nisur drejt Elbasanit për të takuar dy miq dhe se gjatë kthimit kishte marrë në makinë një person që i kishte bërë shenjë në rrugë, pa e ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin.

Nga ana tjetër, raporti i vëzhgimit tregon se Audi A6 u pa fillimisht në kompleksin ku ishte lokalizuar Agasi dhe, pak minuta pasi automjeti doli prej tij, Agasi u konstatua në sediljen e pasagjerit.

Megjithatë, vetë gjykata ka evidentuar se vëzhgimi nuk ka qenë i pandërprerë. Për rreth pesë orë, nga 13:35 deri në 18:16, nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta mbi lëvizjet e automjetit dhe personave që ndodheshin në të.

Pikërisht ky interval mbetet objekt i hetimeve të mëtejshme për të përcaktuar se ku ka qëndruar automjeti, me kë janë takuar personat që ndodheshin në të dhe nëse deklarimet e Shpatarakut për qëndrimin në Elbasan mund të verifikohen përmes kamerave, të dhënave telefonike dhe dëshmive të personave të tjerë.

Sipas gjykatës, të dhënat e administruara deri në këtë fazë krijojnë dyshim të arsyeshëm se transportimi i Agasit nga Shpataraku nuk ka qenë një rastësi, por kjo çështje mbetet pjesë e hetimit dhe vlerësimit gjyqësor.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.