Partia Demokratike ka çuar në Gjykatën Kushtetuese, marrëveshjen e huasë 302 milionë dollarëshe me SHBA-në për forcimin e kapaciteteve të forcave të armatosura. Në një dalje për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi sqaroi se procedura e ndjekur gjatë seancës të së hënës është në shkelje të kushtetutës.
“Kërkuam respektimin e afateve kushtetuese, të drejtën e deputetëve për tu njohur me atë që do të votonin. Opozita e ka bërë të qartë se e mbështet në parim këtë marrëveshje se i shërben interesit strategjik të Shqipërisë për të modernizuar FA dhe për të përmbushur detyrimet që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Duhet të ishte model i respektimit të kushtetutës, transparencës dhe debatit parlamentar”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, gjatë seancës janë kryer 7 shkelje nga Parlamenti.
“Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën sesi Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes së huasë me SHBA-të”tha Bardhi.
Madje Partia Demokratike pretendon se pjesa dërrmuese e deputetëve që e kanë votuar marrëveshjen, nuk e kanë lexuar dokumentin.
“Për rrjedhojë, sipas këtij informacioni, vetëm 19 deputetë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste që kishin nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit morën pjesë në votimin për ratifikimin e marrëveshjes”, tha Bardhi.
Por në kundërpërgjigje, mazhoranca doli në mbrojtje të procedurës së ndjekur.
“Marrëveshja është trajtuar sipas rregullave të përcaktuara dhe se informacioni i kufizuar lidhej me natyrën konfidenciale të dokumentit”, thuhet në reagimin e PS.
Tashmë do të mbetet në dorën e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse ligji do të shfuqizohet, në mënyrë që ai të rishqyrtohet sërish në Parlament gjatë sesionit të ri në shtator.





