Kjo që shihni nuk është një fletore borxhesh në një dyqan ushqimor në lagje, por në një farmaci në qytetin e Korçës. Shumë prej qytetarëve janë detyruar të shënojnë emrin, për shkak të pamundësisë për të blerë ilaçet.
Kjo është përditshmëria për shumë pensionistë, por edhe për qytetarë të tjerë, të cilët detyrohen t’i marrin medikamentet me borxh ose të mos e zbatojnë plotësisht recetën e përshkruar nga mjeku.
Rritja e kostos së mjekimit po e bën gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve për familjet me të ardhura të kufizuara.
Farmacistët tregojnë se çdo ditë përballen me qytetarë që fillimisht pyesin për çmimin e ilaçeve dhe më pas vendosin se cilat mund të blejnë. Në shumë raste, për të mos i lënë pa mjekim, ata ua shënojnë medikamentet në fletoret e borxheve, të cilat vazhdojnë të mbushen prej vitesh.
Edhe pensionistët e pranojnë se pensionet që marrin nuk mjaftojnë për të përballuar as nevojat më bazike, e aq më pak shpenzimet për medikamentet.
Për një pjesë të qytetarëve në Korçë, kujdesi për shëndetin është kthyer në një sfidë të përditshme, ku ilaçet merren sot me shpresën se do të mund të paguhen nesër.
/vizionplus.tv





