Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit konfirmojnë një ecuri të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, me rritje të të ardhurave, shtim të shpenzimeve publike, përmirësim të formalizimit të ekonomisë dhe vijim të trendit pozitiv në punësim.
Në një konferencë për shtyp, Malaj tha se ekonomia shqiptare gjatë 3-mujorit të parë ka shënuar një rritje prej 3.7%, nivel më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Malaj: Një 6-mujor që konfirmon se ecuria e ekonomisë shqiptare vijon të ecë në një trajektore të qëndrueshme rritjetje ekonomike, të dhënat tregojnë për një rritje të ndjeshme të të ardhurave. Kemi një rritje të shpenzimeve publike, kemi një përmirësim të mëtejshmë për sa i përket formalizimit të ekonomisë dhe vijimin e një trendi pozitiv për sa i përket punësimit. Shqipëria gjatë 3-mujorit të parë ka shënuar një rritje ekonomike prej 3.7 %, më e lartë se sa mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Kemi një rritje ekonomike e cila sipas parashikimeve të MF do të ketë deri në fund të viti një rritje prej 4%. Parashikimi ynë është që deri në fund të vitit 2026 PPB të arrijë në nivelin e 29 miliard eurove.
Për vitin 2026 parashikojmë që të ardhurat për frymë të shkojnë në masën 12.200 euro, krahasuar me 11.555 që ishin në fund të vitit 2025. Objektivi final është që deri në fund të vitit 2026 të ardhurat për frymë të shkojnë në masën e 15 mijë eurove. Në lidhje me inflacionin, përgjatë këtij 6-mujori Shqipëria renditet si vendi me normën më të ulët të inflacionit në Ballkanin Perëndimor. Përgjatë këtij 6-mujori inflacioni është në masën 2.7%, ndërsa në Ballkanin Perëndimor është 4%.

Papunësia për 3-mujorin e parë ka zbritur në nivelin 8.4%. Kemi një rritje të pagës mesatare përgjatë 3-mujorit të parë të 2026 në masën 935 euro. Falë masave të marra për formalizimin e punësimit në sektorë kyçë të ekonomisë, kemi një rritje të numrit të punonjësve të cilët kanë pësuar rritje pagash.

Shqipëria vijon të regjistrojë shifra të larta për sa i përket investimeve të huaja. Përgjatë 3-mujorit të parë kemi një rritje me 11.8%, ose 404 mln euro më shumë se sa 3-mujori i vitit 2025.

Sa i përket ecurisë së buxhetit, të ardhurat totale përgjatë periudhës janar-qershor arritën në masën 410 mld lekë. Ky parashikim tejkalon edhe objektivin e vendosur në realizimin e të ardhurave në planin e strategjisë afatmesme të të ardhurave, një plan që është dakordësuar edhe me partnerët ndërkombëtarë. 






