Pas disa viteve ku bujqësia ka qenë e nënfinancuar nga bankat, ekspertët e shohin nismën “Dyfisho Biznesin Tënd” si iniciativën e duhur për të ringritur një sektor që dikur ka qenë “lokomotiva” e ekonomisë.
“Është një nismë e duhur në kohën e përshtatshme, pas disa iniciativave që janë marrë për sektorin e bujqësisë. Kjo nismë do të ndikojë pozitivisht për nevojat e sektorit për financim. Është një nismë më e gjerë, që së bashku me garancinë sovrane ndikon shumë tek ndërmarrjet e mesme për të marrë pjesë në këtë iniciativë”, thotë Agim Rrapaj, ekspert për bujqësinë.
E gjithë vëmendja duhet të përqendrohet tek përgatitja e dosjeve me specialistë, në mënyrë që të mundësohet përthithja e fondeve.
“Por kjo iniciativë duhet të shoqërohet me angazhim të madh të specialistëve në përgatitjen e dosjeve, pasi këtu kemi dhe defektin më të madh. Ne nuk kemi mundur që edhe në iniciativën e parë të përthithim këto fonde. Kështu që vështirësia dhe vëmendja duhet të përqendrohen tek disbursimi i fondeve”, thotë Rrapaj.
Ndërkohë, qeveria po vijon turin e takimeve me bizneset për t’i informuar mbi këtë nismë. Ministri i bujqësisë Andis Salla u shpreh se, përveç financimit, kjo skemë do të ndihmojë edhe në rritjen e sigurisë ushqimore.
Nisma “Dyfisho biznesin tënd” ka hapur aplikimet dhe vë në dispozicion 250 milionë euro kredi totale, si dhe 30 milionë euro në formën e garancisë sovrane. Aplikimet pritet të zgjasin deri në shtator të vitit 2027, ndërkohë që, në bazë të kërkesës, qeveria pritet ta zgjerojë këtë fond.





