Ish-presidenti, Ilir Meta pretendoi në seancën gjyqësore se SPAK e ka përfshirë marrëveshjen e intekonjeksionit me kompaninë e Adrian Shatkut qëllimisht në akuzë për ta mbajtur atë në qeli. Ai hodhi akuza edhe ndaj ish-agjentit të inteligjencës amerikane Charles McGonigal si i përfshirë në hetimet që Prokuroria Speciale ka kryer ndaj tij.
“Unë kam qenë prezent kur është bërë kontrolli i banesës, kam qenë prezent kur zonja Kryemadhi ka pretenduar se një nga celularët e gjetur atje ishte celulari i saj personal. I është bërë e qartë që ky është telefoni im dhe jo i mamasë time, dhe unë, deputetët e tjerë e të tjerë, mesa mbaj mend, kanë rënë dakord që të shënohet në procesverbal. Herën e kaluar dëgjuam që gjykata është shprehur që të bëhet ekspertimi i telefonit të Fatime Kryemadhit, kur ai nuk është i saj. Këto janë veprime të qëllimshme kundër Ilir Metës”, tha ai.
Ndërkaq ish-ligjvënësja Monika Kryemadhi kundërshtoi Prokurorinë e Posaçme për dyshimet e SPAK se ka ndikuar që kushëriri i saj të përfitonte lidhjen e marrëveshjes së fibrave optike me kompaninë UNIFI të Adrian Shatkut. Ajo pretendon se prokuroria në mënyrë selektive ka përdorur vetëm 65 e-maile për të përpiluar akuzën duke bërë interpretime dhe deduksione.
“Ekzistojnë komunikime me Edi Ramën, më shumë se komunikime ndërveprimesh me Ilir Metën, pra janë komunikime që tregojnë ndërveprim mes meje e Kryeministrit. Këtu është Edi Rama, pse ndryshon standardi, ose njësoj për të gjitha provat, ose seleksionimi për të shkuar tek akuzë politike. Janë përzgjedhur fragmente që i shkonin akuzës dhe janë përjashtuar ndërveprime të tjera të njëjta si për ato të tjerat. Këto komunikime nuk janë konsideruar në akuzë, megjithëse tregojnë sjelljen time institucionale. Asnjë prej komunikimeve nuk tregon ndikim të paligjshëm. Ato tregojnë se bisedimet ishin në kuadër të një procedure administrative”, tha Kryemadhi.
Ndërkaq ish-bashkëshortët kanë kërkuar dëshminë e Adrian Shatkut, Edi Ramës, Edmond Haxhinastos, Milena Haritos, Elona Gurit, Pirro Xhixhos, Ermal Topallit, Albana Shtyllës dhe Ema Çokut për episodin e marrëveshjes me kompaninë UNIFY.





