Bypass-i i Tiranës, një nga veprat më të mëdha infrastrukturore që po ndërtohen aktualisht, po ecën me ritme të kënaqshme. Kështu u shpreh ministri i Infrastrukturës Enea Karakaçi i shoqëruar nga kreu i Autoritetit Rrugor, gjatë një inspektimi në një prej loteve veprës.
“Jemi në fazën e parë të punimeve, ku ecuria ka qenë pozitive, pavarësisht se terreni është shumë problematik. Ka pasur nevojë për mobilizim të shtuar nga kontraktori. Aktualisht jemi në segmentin ku po kryhen punimet e mbushjes, ndërkohë që ecuria ka qenë mjaft pozitive. Afati i përfundimit është 24 muaj dhe nuk presim të ketë surpriza”, tha Ami Kozeli, Kreu i ARRSH-së.
Autoriteti Rrugor po vijon negociatat për fazën tjetër të projektit, e cila do të bëjë të mundur që të gjitha fshatrat e zonës të kenë akses në këtë aks.
“Në fazën tjetër është hapur e gjithë gjerësia e rrugës. Loti 1 është ndarë në 3 faza, ku aktualisht kemi në zbatim 2 faza. Presim që të hapim aplikimet për punimet që do të bëjnë të mundur ndërlidhjen e të gjitha fshatrave me bypass-in. Jemi gjithashtu pranë objektit të fundit që ka mbetur për shpronësim, pasi pas tij do të bëhet e mundur lidhja me lotet pasardhëse”, tha Kozeli.
Ndërkohë, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se qeveria është në negociata me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për sigurimin e financimit të pjesës tjetër të projektit.
“Jemi në negociata me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e pjesës tjetër të bypass-it. Krijojmë mundësinë që ky financim të vijojë për fazat e ardhshme të projektit”, tha Karakaçi.
Në total, punimet janë shtrirë në rreth 9 kilometra rrugë, ndërkohë që kanë mbetur edhe 12 kilometra të tjera për nisjen e punimeve.
Bypass-i i Tiranës nis nga zona e Kasharit, pranë autostradës Tiranë–Durrës, dhe përfundon në Mullet, ku lidhet me aksin Tiranë–Elbasan.
Pas përfundimit, ky aks pritet të shërbejë si një alternativë kryesore për automjetet që nuk kanë si destinacion qendrën e Tiranës, duke lehtësuar trafikun në kryeqytet.





