Liderët evropian takohen sot në Bruksel , ku i pranishëm do të jetë edhe presidenti Volodymir Zelensky.
Në këtë samit pritet të diskutohet plani prej 800 miliardë eurosh për forcimin e mbrojtjes së Evropës, si dhe ofrimi i mbështetjes urgjente ushtarake për Ukrainën.
“Në këtë kontekst, ata do të shkëmbejnë mendime mbi kontributet evropiane për garancitë e nevojshme të sigurisë që kërkohen për të garantuar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë të gatshme të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë evropiane”, thuhet në një deklaratë të Këshillit Evropian.
Kjo është hera e parë që të gjithë krerët e shteteve dhe të qeverive evropiane mblidhen pasi Trump bisedoi në një lidhje telefonike për 90-minuta me kreun e Kremlinit Vladimir Putin dhe vendosi të nisë negociatat për t’i dhënë fund pushtimit tre-vjeçar.
Që nga fillimi i agresionit ushtarak rus, BE dhe shtetet anëtare kanë ofruar afërsisht 135 miliardë euro për të mbështetur Kievin si dhe kanë miratuar sanksione të paprecedenta kundër Rusisë, të cilat synojnë fusha vitale të ekonomisë së saj, duke përfshirë bankat, si dhe sektorët industrialë dhe energjetikë.
Një ditë më parë presidenti francez Emmanuel Macron e cilësoi “çmenduri” shpërfilljen e kërcënimit rus për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime në lidhje me shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent./vizionplus.tv





