Tre zjarrfikës kanë humbur jetën në Greqi, ndërsa vendi po përballet me një valë të re zjarresh të mëdha. Dy prej tyre mbetën të bllokuar mes dy fronteve të flakëve në ishullin e Kretës, ndërsa një zjarrfikës i tretë humbi jetën gjatë operacioneve në Peloponez. Qindra banorë dhe turistë janë evakuuar, ndërsa zjarret kanë shkatërruar ullishte, toka bujqësore, magazina dhe banesa. Më shumë se 200 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, vijojnë operacionet për shuarjen e dy vatrave kryesore në Kretë.
Një tjetër vatër e madhe mbetet aktive në ishullin turistik të Parosit. Sipas autoriteteve, zjarri është përhapur me shpejtësi në jug të ishullit, duke detyruar autoritetet të lëshojnë urdhra të njëpasnjëshëm evakuimi për banorët dhe turistët në disa zona.
Situata vijon të jetë alarmante edhe në Turqi, ku një zjarr i madh në provincën Mugla çoi në mbylljen e autostradës Fetie–Antalia dhe detyroi evakuimin e një pjese të një spitali.
Ndërkohë, në Francë flakët mbeten kritike në rajonin jugperëndimor të Gironde, ku zjarret kanë përfshirë mbi 42 mijë hektarë. Autoritetet franceze bëjnë të ditur se ulja e temperaturave dhe rritja e lagështisë kanë ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së zjarreve, por rreziku mbetet ende i lartë.
Ndryshe është situata në Spanjë, ku autoritetet kanë mbajtur në nivel maksimal gatishmërinë, pasi parashikimet sinjalizojnë rikthimin e temperaturave ekstreme gjatë ditëve në vijim. Edhe pse disa vatra pranë Madridit dhe në zona të tjera janë stabilizuar pjesërisht, shërbimet e emergjencës paralajmërojnë se erërat e forta mund të riaktivizojnë flakët.
/vizionplus.tv





