Subscribe

Një ditë pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor, kursi i këmbimit euro/lek mori kthesë, me tendencë forcimin e monedhës evropiane.

 

Këtë të enjte sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro arriti të këmbehet me 125.25 lekë ose 0.83 pikë më shumë se  një ditë më pare.

 

Ky forcim erdhi jo vetëm pas deklaratës zyrtare të guvernatorit, por edhe sepse banka nisi në treg operacionet për blerjen e tepricës së valutës. Institucioni i lartë monetar thotë se ndërhyrja në treg do të shtrihet në kohë, ndërsa nuk bëhet e ditur se sa do të jetë sasia e eurove që do të tërhiqen nga tregu.

 

Burime nga Banka Qendrore bëjnë me dije se vendimi për të ndërhyrje e kombinuar me ulje e normës bazë të interesit ishte i nevojshëm dhe i marrë në kohën e duhur,  pasi gjatë muajit Maj kursi doli përtej parametrave.

 

Përfaqësues të bankës thonë se kjo situatë ishte e pritshme për tre arsye: së pari sezoni turistik duket se është më pozitiv se një vit më parë, së dyti disa banka tregtare kanë kryer konvertim të kapitalit nga euro në lekë, ndërsa kompania publike KESH mori një kredi prej 220 milion eurosh. Këto arsye, së bashku edhe me efektin psikologjik sipas Bankës, ndikuan në këtë ofertë të lartë të valutës.

 

Megjithatë banka është e mendimit se çdo nënçmim i mëtejshme i kursit të këmbimit do të ishte rrezik për stabilitetin e çmimeve, pasi do të rrezikonte objektivin e inflacionit që është 3%.

 

Ndërhyrja e bankës shihet me skepticizëm nga disa ekspertë, për efektivitetin saj, pasi sezoni turistik sapo ka filluar, ndërsa edhe dërgesat e emigrantëve pritet të rriten.

 

Gjithsesi sipas parashikimeve kursi euro leke pritet të stabilizohet tashmë në një ekuilibër të ri, më të ulet se më parë. Ndaj e ardhmja mbetet ende e paqartë se si do të reagojë tregu ndaj këtij fenomeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *