Ukraina ka vendosur sanksione ndaj krijuesve të serialit të animuar “Masha dhe Ariu”, duke i akuzuar për përhapjen e narrativave pro-ruse dhe përbërjen e një kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare. Vendimi, i firmosur nga presidenti Volodymyr Zelensky, prek studion Animaccord, themeluesin dhe drejtuesin e saj, si dhe regjisorin, skenaristin dhe bashkëproducentin e serialit.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se seriali, i përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe i ndjekur në mbarë botën, gjeneron të ardhura për shtetin rus dhe përhap mesazhe të lidhura me propagandën e Kremlinit. Këshilltari i Zelenskyt për politikën e sanksioneve, Vladyslav Vlasyuk, tha se duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë propagandës ruse kur ajo u drejtohet fëmijëve dhe shpërndahet përmes platformave të mëdha ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Animaccord, Melanie Bonvicino, i ka cilësuar akuzat si “të rreme dhe shpifëse”, duke theksuar se studioja vepron në mënyrë të pavarur dhe nuk financohet nga qeveria ruse. Edhe më herët, një grup deputetësh britanikë i kishte kërkuar qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që platformat e transmetimit ta hiqnin serialin, duke pretenduar se disa episode përmbajnë propagandë ruse.
Kremlini dënoi sanksionet ukrainase, duke thënë se shënjestrimi i një filmi vizatimor për fëmijë tregon, sipas tij, “shëmtinë e regjimit të Kievit”. “Masha dhe Ariu” është frymëzuar lirshëm nga një përrallë tradicionale ruse dhe konsiderohet ndër serialet më të ndjekura në YouTube.
/vizionplus.tv





