Gjykata e Korçës ka lënë në burg Kristjan Sterjon autorin e vrasjes se 20-vjeçarit Joan Zuko, që tronditi qytetin e Korçës më 8 gusht.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të mërkurë në kushte të rrepta sigurie. Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg” për Sterjon, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Korçës.
Në ambientet përreth gjykatës u vendosën forca të shumta policie, ndërsa institucioni u rrethua për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes. Në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar, as nga familja e viktimës Joan Zuko dhe as nga familja e autorit të dyshuar.
Sipas informacioneve, Sterjo ka qenë i qetë gjatë gjithë seancës. Në përfundim të fjalës së tij, ai ka deklaruar se është penduar për atë që ka bërë.
Kristjan Sterjo ka treguar se mes tij dhe Joan Zukos kishte pasur konflikte edhe më herët, por ka mohuar se ka pasur qëllim ta vriste.
Joan Zyko, 20 vjeç, u qëllua me armë zjarri pasditen e 8 gushtit në lagjen nr. 14 të Korçës. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, mes Zukos dhe Kristjan Sterjos kishte pasur një konflikt të mëparshëm.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Sterjo ka dhënë versionin për ngjarjen, duke deklaruar se konflikti kishte nisur rreth dy javë më parë. Sipas tij, ditën e ngjarjes pati fillimisht një përplasje fizike mes dy të rinjve, pas së cilës ai u largua dhe shkoi në banesë.Sterjo ka rrefyer se më pas ka marrë një armë zjarri që e kishte fshehur dhe është rikthyer në zonën ku ndodhej Zuko. Sipas dëshmisë së tij, ai e ka ndjekur 20-vjeçarin dhe ka qëlluar me armë .
Pas ngjarjes, Sterjo u largua nga vendi i krimit dhe për disa orë qëndroi në arrati. Policia e Korçës arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë rreth mesnatës së 9 gushtit, pranë zonës së Mitropolisë. Gjatë veprimeve hetimore janë administruar prova materiale dhe janë sekuestruar sende që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen. Sterjo akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, dhe i municionit”.





