Dënohet me vendim të formës së prerë Mario Përlleshaj, djali i mitur që vrau bashkëmoshatarin, Martin Cani pas një konflikti banal që kishte nisur në rrjetet sociale. 16 vjeçarit do i duhet të vuajë 16 vjet heqje lirie për dy akuza të rënda: Vrasje në rrethana të tjera cilësuese dhe vrasje të mbetur në tentativë, gjithashtu në rrethana cilësuese.
“Jemi përballë një vendimi, i cili ka sjellë një lloj drejtësie për familjarët. Duke parë legjislacionin shqiptar, duke parë mundësinë që kishte gjykata për të vendosur, jemi pjesërisht të kënaqur”, tha avokati Redi Ramaj.
“Dënimi është për dy vepra penale, në dy rrethana cilësuese. Shyqyr që nuk kanë qenë fëmijë të tjerë aty… Luizi ka qenë i vdekur, fatmirësisht u ngjall, Martinit i shkaktoi vekjen me thikë në zemër”, tha Engjëll Cani, i ati i Martin Canit.
Më 18 nëntor të dy viteve më parë, dy të miturit u takuan në oborrin e shkollës Fan Noli për të sqaruar atë konflikt që zanafillën e kishte patur në rrjetet sociale.
Më pas konflikt agravoi jashtë ambienteve të shkollës, derisa Përlleshaj ka nxjerrë thikën e ka goditur 14 vjeçarin në zemër, ndërsa shokun e tij, Luizin e plagosi rëndë. Pasi mori gjuajtjen me thikë, Martin Cani ka ecur disa metra dhe pasi ka humbur gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Pas ngjarjes autori e hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër, e cila u gjet disa ditë më vonë. Ngjarja tragjike tronditi opinionin publik, ndërsa pas saj Kryeministri Edi Rama vendosi mbylljen e perkohshme të TIK TOK.





