Këtë vit, për herë të parë, SPAK-u nuk do të raportojë në seancë plenare, për shkak të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit. Për këtë arsye, deputetët e të gjitha forcave politike u mblodhën në komisionin e drejtuar nga Fatmir Xhafaj, për t’i drejtuar pyetje drejtuesit të SPAK-ut, Klodian Braho.
Ai është përballur në komision me pyetje nga deputetët demokratë, të cilët kanë ngritur pretendime për standarde të dyfishta ndaj politikanëve të opozitës në raport me ata të mazhorancës. Gjithashtu, demokratët e pyetën drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme edhe për kryeministrin Edi Rama, nëse do të thirret apo jo për t’u marrë në pyetje.
Por drejtuesi i SPAK-ut, Braho, hodhi poshtë pretendimet për standarde të dyfishta, duke theksuar se për Prokurorinë e Posaçme sot në Shqipëri askush nuk ka imunitet nga hetimi.
“Për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit, çështja është prova. Por askush nuk është imun ndaj hetimit, në rast se ka prova se mund të jetë kryer vepra penale.”
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme garantoi deputetët se asnjë provë nuk mund të fshihet.
“Nuk mund të ndodhë në SPAK që të ketë një provë dhe ajo të lihet aty në gjumë dhe të mos reagohet.”
Mbledhja e komisionit zgjati rreth katër orë dhe deputetët demokratë e pyetën drejtuesin e SPAK-ut për çështje konkrete, si kallëzimi i PD-së për librin “Albanian Files”, çështja ku përmendet takimi në Aruba, por prokurori Braho përsëriti se nuk mund të flasë për çështje që janë në hetim. Të njëjtën përgjigje drejtuesi i SPAK-ut dha edhe për pyetjet e demokratëve nëse do të kërkojë edhe një herë heqjen e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Balluku.
“Nuk mund të them detaje konkrete. Është një çështje konkrete, por në një moment të mëvonshëm prokuroria do të ketë vendimmarrjen përkatëse.”
Përballë pyetjes së kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, nëse SPAK ka nevojë për ndryshime ligjore, Braho sqaroi se do të ishte e dobishme për prokurorët e posaçëm që rastet e korrupsionit për shuma të vogla të hetohen nga prokuroritë e tjera.
“Kemi vlerësuar më parë se kemi nevojë për rritjen e pragut prej 50 mijë lekësh të reja, që janë kompetencë e SPAK-ut, si edhe të vlerës së prokurimeve, sepse mendojmë se është e ulët dhe mund të hetohet nga prokuroria.”
Në javët e fundit, drejtuesi i SPAK-ut ka raportuar tri herë në Parlament: një herë para Komisionit të Reformës Zgjedhore, një herë para Komisionit të Ligjeve dhe këtë të mërkurë në Komisionin për Mbikëqyrjen Institucionale.
/vizionplus.tv





