Kontributet e sigurimeve shoqërore do të njihen edhe nga Sllovenia. Pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh kjo marrëveshje e çon në 17 numrin e vendeve që njohin vitet e punës ndërsa janë në diskutime edhe me shtete të tjera te unionit.
“Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kaloi një projektvendim për sigurimet shoqërore me Slloveninë, e çon numrin e marrëveshjeve të nënshkruara në 17. Janë 4 marrëveshje të tjera duke u negociuar. Kjo është thelbësore në mbrojtjen e të drejtave të punës dhe pagesave që çdo individ mund të marrë si pagesë për kryerjen e disa viteve të punës në Shqipëri dhe në në vend tjetër”, tha Ibrahimaj.
Gjithashtu Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri me dije se janë propozuar ndryshime për 3 ligje të sistemit financiar që synojnë modernizimin dhe përafrimin me legjislacionin e BE.
“Kemi propozuar ndryshime për ligjin e sistemit të pagesave, shërbimit të pagesave dhe ndryshime për bankat. Këto ligje kanë si qëllim modernizimin e sistemit aktual dhe janë në funksion të përafrimit të kuadrit ligjor me BE. Këto ndryshime i shërbejnë edhe kuadrit të negociatave që lidhet me lëvizjen e lirë të kapitalit”, tha Malaj.
Sipas Malajt, këto ndryshime sjellin benefite për qytetarët dhe reduktim të kostove për transaksionet financiare.





