Manastiri i Zvërnecit vijon të mbetet një nga atraksionet turistike më të frekuentuara të Vlorës.
Edhe këtë fundjavë, Zvërneci ka pritur turistë nga Kanadaja, Gjermania, Italia, Franca dhe Spanja.
“Jemi nga Kanadaja. Vlora është shumë e bukur, mund të bësh shumë aktivitete dhe është afër detit. Ne kemi bërë edhe një udhëtim me varkë. Në Manastir duhej të na shoqëronte turi, por u anulua, ndaj vendosëm të merrnim makinë me qira dhe të vinim vetë, nuk mund ta humbnim këtë vend. Absolutisht do të vij përsëri në Vlorë, më pëlqen shumë.”
“Vij nga Leçe, Itali. Është hera e parë që vij në Vlorë dhe më duket një qytet shumë i bukur. Kam parë qendrën historike, ndërsa tani po vizitojmë Lagunën dhe Manastirin. Kemi bërë edhe një udhëtim me skuter në det dhe kemi parë plazhe të mrekullueshme. Sot është dita e fundit, por me miqtë kemi vendosur që do të kthehemi sërish.”
“Kam parë vetëm pak nga Vlora deri tani, por dua ta shoh të gjithën, nga fillimi në fund. Ushqimi është i mrekullueshëm! Vetë ndoshta nuk do të kthehem më, sepse jam pak i moshuar, por do t’ua sugjeroj nipërve të mi. Erdha sepse shumë njerëz në Spanjë po flasin për Shqipërinë. Thonë se është një vend shumë interesant, i bukur, mikpritës dhe i lirë.”
I vendosur mes gjelbërimit dhe ujërave të lagunës së Nartës, ky monument kulturor vijon të ngjallë kureshtje për historinë, arkitekturën dhe qetësinë që ofron./vizionplus.tv





