Pak para nisjes së protestës qytetare para Kryeministrisë, deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, publikoi një video në rrjetet sociale ku argumenton se pakënaqësia qytetare lidhet me modelin ekonomik dhe sistemin e qeverisjes të ndërtuar gjatë 12 viteve të fundit.
“Për 12 vite me radhë kemi folur për vizionin e cunguar ekonomik të Shqipërisë. Një model që nuk prodhon më, që ka përqendruar ekonominë në duart e pakicës dhe ku gjithçka shkon tek ata.
Sot investimet e huaja janë pesë herë më të larta në industrinë imobiliare sesa në industritë e tjera. Kemi krijuar një ekonomi tullash dhe llaçi, një ekonomi që nuk prodhon, nuk punëson dhe nuk krijon vlerë të shtuar.
Është një model që i ka hequr oksigjenin ekonomisë, i ka hequr garën dhe nuk lejon askënd t’ia dalë vetë. Pikërisht ky model ka sjellë protestën e drejtë qytetare, një protestë që ka mbushur sheshet më shumë se çdo herë tjetër.
Kjo është një protestë që lidhet me sistemin, me konkurrencën e munguar, me ligjet me porosi dhe me modelin socialist të arrogancës së të korruptuarve”, shkruan Tabaku.





