Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vagjel Tavo, gjatë një interviste për gazetaren Rajmonda Lajthia në Vizion Plus evidentoi se turizmi në vendin tonë ka nevojë për zhvillim të mëtejshëm, për të rritur më tej cilësinë e shërbimit nëpërmjet investimeve cilësore.
I pyetur konkretisht për investimin prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, Tavo tha se një projekt të tillë do ishte i vlefshëm edhe për territorin e Himarës.
“Himara do të ishte me fat të kishte një projekt të tillë. Nëse flasim për turizëm elitar duam dhe investime elitare. Unë do ta mirëprisja dhe do të doja që edhe Himara ta kishte pse jo një projekt të ngjashëm që gjeneron zhvillim dhe punësim, dhe e ngre turizmin në një nivel tjetër. Uroj dhe lutem që një ditë ta kemi në Himarë një projekt të ngjashëm”, tha Vagjel Tavo në emisionin “E-Zone”.
Duke u ndalur te sezoni turistik 2026, Tavo tha se ai ka nisur më herët se viti i kaluar. Pritshmëritë janë pozitive dhe sa janë marrë masa që mbarëvajtja e tij të jetë sipas pritshmërive.
Nga data 15 qershor sipas tij do të ndalohen qarkullimi i mjeteve të rënda me qëllim menaxhimin e trafikut.
“Sa i përket çmimeve që do të ofrohen në plazhet publike ato do të nisin nga 200 lekë për çadër deri në 700 lekë çadër dhe shezlongë. Janë tarifa që janë miratuar një vit më parë dhe nuk ndryshojnë as këtë vit. Paralelisht kemi trefishuar kapacitet për mbajtjen pastër të ambientit si një nga sfidat më të mëdha të territorit”, tha Tavo në Vizion Plus.
Edhe operatorët turistikë kanë nxjerrë mësime nga e kaluara sa i përket çmimeve që ato ofrojnë.
“Nga kontaktet që unë kam me bizneset e fushës, ata nuk do të bëjnë gabimet e një viti më parë, ku disa individë që nuk ishin biznese të vjetra por aventurierë që kishin marrë hotel me qira dhe kërkonin fitime të shpejta, ofruan çmime abuzive. Ky realitet nuk përsëritet më, pasi vetë bizneset janë të interesuar më shumë për një turizëm të qëndrueshëm”.
Kreu i Bashkisë Himarë konfirmoi se rezervimet janë shtrirë deri në muajin nëntor të këtij viti, duke konfirmuar se ky sezon do të jetë edhe më i mbarë se ai i 2025-s.
/vizionplus.tv





