Subscribe

Tre-ish ushtarakë shqiptarë janë shndërruar në heronjtë e Londrës mbrëmjen e së shtunës, kur ndodhi sulmi terrorist me 7 viktima dhe dhjetëra te plagosur. Mark Stembridge, pronar i një restoranti, rrëfeu momentet e sulmit, ku tre persona me një furgon shtypën dhjetëra kalimtarë dhe më pas sulmuan me thike qytetarët përpara se te vriteshin. Ai tregoi se falë ndërhyrjes së tre punonjësve të tij shqiptarë, u bë i mundur shpëtimi i jetës së 130 njerëzve.

 

“Fatmirësisht, një pjesë e stafit tim janë ish-ushtarakë dhe u treguan shumë te qetë në këtë situatë. Kishim 130 vetë në tarracë dhe i larguam të gjithë, që të ishin të sigurte. Tre personat që afroheshin nisën të thërrisnin, por e panë që ishim disi të organizuar dhe u larguan. Ata zbritën poshtë urës për të gjetur një tjetër vend”.

 

Terroristët janë identifikuar nga policia britanike, e cila ka njoftuar se do t’i bëjë shumë shpejt publik emrat e tyre. 36 persona ndodhen ende në spital, gjysma e të cilëve në gjendje kritike. Ata u ekzekutuan më pas nga policia. Pas arrestimit të 11 personave, mëngjesin e së hënës policia bastisi edhe dy banesa të tjera në lindje të Londrës dhe sipas mediave ka edhe të ndaluar.

 

Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar nëse agresorët ishin pjesë e një rrjeti më të gjerë. Sulmi në Urën e Londrës dhe Borough Market u mor përsipër nga Shteti Islamik, megjithëse nuk ka dhënë prova për përfshirjen, apo detaje të tij. Tashmë ura dhe rrugët përreth janë hapur për kalimtarët.

 

Ndonëse emrat e autorëve nuk dihen, “Daily Mail” ngre pikëpyetje për mënyrën sesi njëri nga terroristët arriti t’u shpëtonte shërbimeve sekrete. Bëhet fjalë për një 27-vjeçar, i cili është shfaqur vitin e kaluar në një dokumentar televiziv për xhihadistët britanikë dhe është grindur me policinë, pasi shpalosi një flamur të ISIS në Regent Park në Londër. Ai ndodhej pranë dy predikuesve të njohur për policinë dhe Shërbimet e Inteligjencës, për shkak të pikëpamjeve të tyre ekstremiste.

 

Mediat raportojnë gjithashtu se dy persona e kanë paralajmëruar policinë për sjelljen e njërit prej agresorëve. Ai ishte shndërruar në ekstremist dy vitet e fundit, por asnjë veprim nuk u ndërmor ndaj tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *