Plazhet e Orikumit po njohin nga viti në vit një rritje të interesit nga turistët, veçanërisht ata të huaj.
Edhe gjatë dhjetë ditëshit të parë të muajit korrik, bregdeti i kësaj zone është mbushur me pushues që kanë zgjedhur këtë zonë për të kaluar pushimet.
Pjesa më e madhe e vizitorëve vijnë nga Polonia, Çekia, Gjermania dhe Italia, ndërsa këtë sezon janë regjistruar edhe turistë nga Kina. Krahas ditëve në plazh, ata vizitojnë edhe pikat historike dhe natyrore të zonës, si Parkun Kombëtar dhe Bazën e Pashalimanit
“Vijmë nga Torino e Italisë dhe sapo kemi mbërritur në Orikum. Më parë kaluam disa ditë në Durrës, por këtu na duket edhe më bukur. Na pëlqen shumë zona dhe kemi vënë re se çmimet janë shumë më të ulëta krahasuar me Italinë.”
“Jam nga Torino dhe është hera e parë që vizitoj Orikumin. Më parë qëndruam tre ditë në Durrës, ku vizituam edhe Kepin e Rodonit, që ishte shumë i bukur. Në Orikum kemi shumë miq dhe kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për këtë zonë. Gjatë ditëve në vijim do të vizitojmë atraksionet turistike, ndërsa na ka bërë përshtypje edhe fakti që çmimet janë të përballueshme.”
“Kemi ardhur si grup nga veriu i Italisë. Deti është i mrekullueshëm, njerëzit janë shumë mikpritës dhe ushqimi është shumë i mirë. Deri tani gjithçka na ka lënë përshtypje shumë pozitive.”
Edhe turistët polakë shprehen se Orikumi është një destinacion shumë i bukur, me plazhe të pastra, natyrë tërheqëse dhe atmosferë mikpritëse, duke e cilësuar si një vend ideal për pushimet verore.
Operatorët turistikë e cilësojnë pozitiv ecurinë e sezonit veror. Sipas tyre, rezervimet kanë qenë në nivele të kënaqshme. Por sfida kryesore mbetet mungesa e fuqisë punëtore, problem që po përballohet kryesisht nga bizneset familjare.
Operatorët theksojnë se çmimet e akomodimit dhe të shërbimeve kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me sezonet e kaluara
Fluksi i pushuesve pritet të vijojë të rritet gjatë javëve në vijim, duke e mbyllur sezonin veror me rezultate të kënaqshme për sektorin e turizmit.





