Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se Garancia Sovrane është zgjeruar për të mbështetur më shumë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa fondi i saj është rritur nga 3 në 5 miliardë lekë.
Gjatë aktivitetit për prezantimin e Programit Kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Malaj tha se Garancia Sovrane në Bujqësi, e lançuar në gusht 2025, ka dhënë rezultate pozitive, duke rritur aksesin në financim për fermerët dhe sektorët e nënfinancuar të ekonomisë.
Sipas ministrit, vetëm në gjashtë muaj nga nisja e skemës, rreth një e treta e fondit prej 3 miliardë lekësh është përdorur për financimin e fermerëve, çka, sipas tij, dëshmoi efektivitetin e këtij instrumenti financiar.
Malaj bëri të ditur se, me ndryshimet e miratuara përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, Garancia Sovrane është shndërruar në një instrument kombëtar mbështetjeje për sipërmarrjen.
Fjala e Ministrit Petrit Malaj
Garancia Sovrane ishte një instrument që u prezantua nga qeveria shqiptare vitin e kaluar në muajin gusht dhe u krijua me idenë për të rritur aksesin në financë për ato sektorë të cilët ishin të nënfinancuar ose për ato sektorë të cilët ishin të pafinancuar fare.
Për këto arsye, në momentin e prezantimit të garancisë sovrane, u testua në sektorin e bujqësisë, një sektor me një potencial të madh për ekonominë shqiptare, një sektor që ka një kontribut të rëndësishëm për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto, një sektor që punëson mbi 40% të fuqisë punëtore në Shqipëri. Me lançimin e këtij produkti, i cili mori hov në tremujorin e fundit të vitit 2025, u pa se kishte një interes nga ana e fermerëve. U pa se ishte një instrument i duhur për t’i dhënë aksesin në financë këtij sektori të nënfinancuar dhe për vetëm një periudhë 6 mujore u arrit që gati 1/3 e fondeve që u vu në dispozicion, pra të Garancisë Sovrane me vlerën 3 miliardë lekë, u ezaurua nga kërkesat e ardhura nga fermerët. U mundësua financimi i fermerëve në gjithë territorin e Shqipërisë dhe, mar shtysë nga ky sukses, përgjatë këtij viti qeveria mendoi që ta shtrinte fushën e mbulimit të Garancisë Sovrane edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, po duke targetuar specifikisht Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Vetëm në fund të muajit qershor, nëpërmjet aktit normativ, përpos zgjerimit të fushës së mbulimit të Garancisë Sovrane, pra të cilën e shtrijmë edhe te Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, u bë dhe rishikimi i parametrave të kësaj garancie.
Së pari, rritëm vlerën e garancisë sovrane nga 3 miliardë në 5 miliard lekë.
Së dyti, ripamë edhe njëherë termat dhe kushtet përsa i përket shlyerjes së huave, nisur edhe nga feedback-u që morëm nga fermerët, por edhe në takimet që janë bërë me ndërmarrje dhe me sipërmarrës, dhe u zgjat afati i shtyjes së këtyre kredive nga 3-5 vjet që ishin me Garancinë Sovrane në vitin e kaluar në 10 vjet.
U vendos që normat e interesit do të mbaheshin përsëri në nivelet 2 deri në 3% si dhe mbulimi do të ishte mbi 70%.
Një nga elementët më të rëndësishëm dhe që është diskutuar edhe gjerësisht është edhe shuma që do t’i akordohej çdo aplikanti, pra zgjerimi i shumës e cila u rrit nga 25 milionë lekë ose 250 mijë euro në 2 milionë euro apo 200 milionë lekë.
Pra, është një produkt i cili do t’i vijë në ndihmë nga Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme. Pse Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme? Sepse ato përbëjnë 99% të ndërmarrjeve aktive në Shqipëri.
Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme punësojnë mbi 82% të fuqisë punëtore në vend. Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, për sa i përket investimeve në sektorin privat, mbulojnë 75% të investimeve që ndodhin në këte sektor.
Pra në këto kushte, duke pasur parasysh edhe nevojat që kanë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, ndërmorëm këto masa duke rishikuar të gjithë parametrat e Garancisë Sovrane.
Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për sa i përket mbështetjes së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, sepse do duhet që t’i përgatisim këto ndërmarrje që të jenë konkurruese për sa i përket tregut europian, ku shumë shpejt do të jenë pjesë.
Do duhet të rrisin investimet në teknologji.
Do duhet të rrisin investimin në rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në mënyrë që të përmbushim dy kriteret kryesore për të qenë konkuruese: së pari rritjen e produktivitetit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe natyrisht konkurrueshmërinë sepse vërtetë është një treg i madh me shumë oportunitete për ndërmarrjet shqiptare por, nga ana tjetër, është një treg i cili ka sfida të jashtëzakonshme.
Vetëm për vitin 2026 qeveria shqiptare ka parashikuar edhe linjën e kredisë 250 milion euro vënë në dispozicion tashmë nga Banka e Shqipërisë dhe që do të shpërndahet nga ana e sistemit bankar. Kemi Garancinë Sovrane 50 milionë euro, një garanci sovrane e cila, ashtu si dhe linja e kredisë që është vënë në dispozicion, do të rishikohet me rritje në varësi edhe të ecurisë dhe ezaurimit të saj përgjatë vitit 2026.
Ajo që është e rëndësishme është që për këtë vit ne kemi buxhetuar edhe pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit një fond prej rreth 800.000 euro, fond i cili do të vihet në dispozicion të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme për të ndihmuar ato që përgatisim biznes planet apo planet e investimit në mënyrë që të kenë mundësi të aplikojnë nëpër banka për të përfituar si nga linja e kredisë por edhe nga Garancia Sovrane.





