Një konflikt për motive të dobëta i ndodhur në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi” në Elbasan ka përfunduar me plagosjen e një 59-vjeçari me mjet prerës.
Policia bën me dije se, menjëherë pas njoftimit se një 59-vjeçar ishte paraqitur në Spitalin Rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore, organizoi veprimet hetimore dhe operacionale, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Në pranga ra shtetasi M. A., 43 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me thikë shtetasin R. B., 59 vjeç.
Gjatë veprimeve procedurale, Policia arrestoi në flagrancë edhe të dëmtuarin, R. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ai nuk ka pranuar të japë shpjegime për rrethanat e ngjarjes.
59-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe mjeti prerës (thika) që dyshohet se u përdor gjatë ngjarjes.





