Hepatitet janë sëmundje virale që nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë mund të bëhen kërcënuese për jetën.
Sipas Shoqatës së Pacientëve me Hepatit në Shqipëri rreth 3500 pacientë me hepatit B janë të diagnostikuar dhe po marrin trajtim mjekësor.
Mjeku infeksionist Arjan Harxhi thekson se hepatiti viral konsiderohet një vrasës i heshtur pasi në shumicën e rasteve nuk shfaq simptoma.
“Hepatititi viral përbën një problem madhor të shëndetit publik si në rang global ashtu edhe për vendin tonë. Ai konsiderohet një vrasës i heshtur pasi në shumicën e rasteve nuk ka asnjë simptomë”, thotë Harxhi.
Shefja e Shërbimit të Sëmundjeve Infektive në QSUT Najada Çomo shpjegon se hepatitet B dhe C kanë ndikimin më të madh në shëndetin publik ndërsa rendit grupet më të rrezikuara.
“Verdhëza është infeksion që shkaktohet nga viruse të ndryshme siç ëshë virusi A B C D E etj, por ato që kanë peshën më të madhe në shëndetin publik janë virusi B dhe C. Grupi më vulnerabël që preken nga këto sëmundje, së pari janë moshat e vogla të cilët vaksinohen, së dyti janë personat që ekspozohen shumë pas marrjes së gjakut apo nën produkteve të tij. Personat që kanë partnerë të shumtë në jetën e tyre seksuale, personat që janë përdorues të drograve intravenozë dhe personat që në jetën e tyre mund të kenë sëmundje kronike”, thotë Çomo.
Sipas mjekut Gazmend Bejtja, Shqipëria i është përgjigjur thirrjes së OBSH për eleminimin e hapiteteve virale.
“Shqipëria i është përgjigjur thirrjes së Organizatës Botërore të Shëndetësië për të eliminuar hepatitin viral si një problem për shëndetin publik. Hepatiti B mund të parandalohet. Hepatiti C mund të kurohet”, tha Bejtja.
Një tjetër zhvillim pozitiv lidhet me eleminimin e hepatitit tek fëmijët, falë programit të vaksinimit, i cili ka dhënë rezultate të rëndësishme në parandalimin e kësaj sëmundjeje.





