Ndonëse diskutimet e Reformës Zgjedhore janë shtyrë deri në nëntor, anëtarët e saj vijojnë me konsultimet. Në tryezën mbi parandalimin dhe reagimin ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative në proceset zgjedhore,bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi ranë dakord se duhet një sistem funksional në mënyrë që procesi të ketë sa më pak boshllëqe.
“Ti lëmë debatet e zakonshme, të reflektojmë mbi atë që do thonë, dhe më pas në komision, në tryeza, ti shikojmë alternativat më të mira. E rëndësishme të nisemi nga një standard”, tha Gjiknuri.
“Mund të bëjmë ndryshime shumë të rëndësishne, asnjë sistem zgjedhor, asnjë rregullim ligjor, kur futet shteti në krah të një garuesi dhe shpartallon çdo standard. Që atëherë, nuk mungon në asnjë raport të rëndësishëm të BE, kjo sështë çështje që ta mbyllim me një diskutim, duhet të ketë një zgjidhje, ky ky komision duhet ti japë zgjidhje ose sdo kemi zgjedhje”, tha Bylykbashi.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Bashkimit Europian dhe OSBE kërkuan më tepër vëmendje nga aktorët politikë, duke i cilësuar zgjedhjet si garantues të vullnetit të qytetarëve.
“Për BE, është shumë më shumë se ndryshimi i legjislacionit, që zgjedhjet të jenë konkurruese, të ketë zgjedhje në kushte të barabarta. Zgjedhjet përbëjnë një standard të demokracisë”, tha Valislav Ivanov, përfaqësues nga BE.
“Ne në raportin përfundimtar, kemi theksuar shpërdorimin e burimeve me detaje, por vlera qëndron tek rekomandimet. Këto rekomandime, kanë për qëllim të forcojnë garancitë, kuadrin ligjor, mbikqyrje dhe zbatim të ligjit”, tha Ulvi Akhundli, zv.drejtori i departamentit të zgjedhjeve, OSBE.
Pjesë e tryezës ishte kryekomisioneri Ilirian Celibashi, i cili theksoi nevojën e një Kodi të ri Zgjedhor që ndan shtetin nga partia.





