Plani i Rritjes/ Shqipëria përfiton 185 milionë euro, Fino zbulon çfarë ndryshon për qytetarët dhe bizneset

Samiti për Planin e rritjes solli lajme të mira për Shqipërinë. Komsionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos, bëri me dije se vendi ynë ka plotësuar 80% të reformave të kërkuara nga Komisioni Europian dhe për të vlerësuar punën, Bashkimi Europian la si dhuratë një fond të majmë për zhvillimin e vendin.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Megi Fino, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi shpjegoi se si do të përkthehen përfitimet e planit për qytetarët dhe bizneset shqiptare, duke u ndalur te integrimi në tregun e përbashkët evropian, investimet, SEPA dhe ulja e tarifave të roamingut.
Znj.Fino njoftoi se Shqipëria dhe Mali i Zi do të përfitojnë 15% financim shtesë nga fondet e pashfrytëzuara nga vendet e tjera.
Zëvendësministrja sqaroi gjithashtu se integrimi gradual synon t’u japë qytetarëve dhe bizneseve mundësinë të përfitojnë nga tregu i përbashkët evropian përpara anëtarësimit të plotë të Shqipërisë.
INTERVISTA E PLOTË:
Për Shqipërinë u njoftua që përfitimi prej këtij plani rritjeje do të jetë më shumë se 185 milionë euro. Si do të përkthehen konkretisht këto fonde në Shqipëri? Si është parashikuar? Çfarë pritet?
Fino: Në fakt doja ta nisja duke e vendosur samitin e sotëm pikërisht në kontekstin më të gjerë të zhvillimeve të këtyre ditëve të cilat kanë qenë jashtëzakonisht intensive për sa i përket axhendës europiane të Shqipërisë, por dhe të Ballkanit Perëndimor. Brenda kësaj jave kemi pasur disa zhvillime shumë të rëndësishme. Në radhë të parë vlen të përmendet samiti vjetor BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ditën e djeshme forumi i dytë i nivelit të lartë të investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, dhe sot samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor për planin e rritjes. Janë të treja të ndërlidhura prandaj e përmend, sepse samiti në Bruksel sigurisht riafirmoi perspektivën politike të anëtarësimit, ndërsa forumi i investimeve dje pamë se evidentoi potencialin ekonomik të rajonit tonë. Ndërsa sot u tregua se si këto angazhimet politike dhe reformat në fakt po përkthehen pikërisht në rezultate konkrete ekonomike dhe financiare dhe për vendin tonë. Kështu që Tirana ka qenë qendra e diskutimeve për të ardhmen europiane dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
Çfarë janë këto përfitime ekonomike konkrete? 185 milion euro. Ku parashikohet që të zbatohen? Në çfarë projektesh apo si do të përfitojnë njerëzit, familjet shqiptare?
Megi Fino: Doja të ndalesha në fakt në katër drejtimet që u zhvilluan dhe diskutimet e sotme: Në radhë të parë reformat, reformat që përforcojnë sundimin e ligjit, përmirësojnë qeverisjen, krijojnë një mjedis më konkurrues për biznesin. Së dyti, integrimi gradual në tregun e përbashkët europian. Pra, sërish flasim për ekonomi. Qytetarët, bizneset nuk duhet të presin më ditën e anëtarësimit për të filluar të përfitojnë nga integrimi ekonomik me Bashkimin Europian. Së treti, investimi dhe inovacioni, duke e lidhur pak dhe me forumin e djeshëm. Së fundmi, ndërlidhja rajonale dhe europiane përmes korridoreve të transportit, koneksioneve energjetike dhe rrjeteve dixhitale, pra të gjitha investime që rrisin konkurrueshmërinë e ekonomive tona. Konkretisht lajmet pozitive që ishin për Shqipërinë: bëhet fjalë që Shqipëria ka zbatuar 80% të reformave të vlerësuara në kuadër të planit të rritjes, pra pritet të përfitojë 185.6 milion euro në pagesën e katërt. Një lajm shumë i rëndësishëm i këtij samiti ishte dhe fakti që Shqipëria bashkë me Malin e Zi, si dy pararëset e procesit të integrimit, përfitojnë dhe 15% financim shtesë nga plani i rritjes përmes mekanizmit të rishpërndarjes së fondeve që nuk janë përthithur dot nga vendet e tjera, pra që dëshmon shumë konkretisht dhe funksionimin e ‘merit-based process’. Në radhë të parë kur flasim për përfitim konkret dua të përmend SEPA-n si zona e vetme e pagesave në euro. U përmend dhe sot në konferencën për shtyp që në vetëm 11 muaj që ka efektivitet SEPA janë përpunuar 788,000 transaksione me një vlerë prej 8.7 miliardë eurosh. Fakti që qytetarët dhe bizneset shqiptare kanë kursyer tashmë këto shuma, ndërkohë që potenciali i kursimeve arrin deri në 71 milion euro në vit. Një tjetër shembull është dhe diskutimi për sa i përket roamingut, negociatat për përfshirjen në regjimin europian të roamingut kanë nisur në tetor dhe synimi është që gjatë gjithë vitit që vjen, pra gjatë gjithë 2027-s qytetarët shqiptarë të përfitojnë tarifa të reduktuara gjatë komunikimit me vendet e BE-së, ajo që tashmë ne e kemi me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një hap tjetër i rëndësishëm ishte dhe zgjerimi i programit Discover EU që krijon mundësi të reja dhe për të rinjtë shqiptarë, pra për të udhëtuar, për të njohur Europën, dhe të gjitha këto lidhen me atë që përmenda për sa i përket integrimit gradual.
Çfarë do të thotë termi integrim gradual dhe sidomos si mund ta kuptojnë bizneset në Shqipëri? Kanë lidhje me zhvillimin e bizneseve? Konkretisht si do të impaktohen nga integrimi gradual?
Megi Fino: Integrimi gradual në fakt lidhet me çdo fushë dhe çdo sektor. Pra për biznesin patjetër, por në fakt është diçka që ne shtyjmë përpara për të gjithë 33 kapitujt e negociatave, të cilat sigurisht përkthehen në sektorë të jetës sonë sociale. Dëgjuam sot një nga mesazhet më të rëndësishme të komisioneres Marta Kos, ishte se Komisioni Europian synon ta zgjerojë edhe më tej integrimin gradual duke hapur më shumë sektorë të tregut të vetëm europian për vendet kandidate, duke përfshirë këtu sektorët e energjisë, transportit, teknologjisë dixhitale. Po diskutohet mundësia e pjesëmarrjes tonë më të hershme në mekanizma të ndryshëm, në institucionet e BE-së, në ato fusha ku vendet kandidate kanë bërë progres më të avancuar. Integrimi gradual për ta sqaruar nuk është një zëvendësim i anëtarësimit të plotë, absolutisht jo. Është thjesht një instrument për ta përshpejtuar edhe më shumë, për ta bërë më të prekshëm procesin e anëtarësimit për vendet, pra për Shqipërinë konkretisht dhe vendet kandidate, por në fakt edhe për vendet e Bashkimit Europian, për t’u mësuar edhe më shumë me përfitimet dhe me implikimet e të paturit të zgjerimit.
/vizionplus.tv




