Sekuestrohen 136 kg marijuanë në Kosovë, tre të arrestuar, nën hetim edhe një efektiv policie

Një operacion antidrogë në Kosovë ka përfunduar me sekuestrimin e 136 kilogramëve marihuanë, me një vlerë të përllogaritur rreth 250 mijë euro, dhe arrestimin e tre personave.
Operacioni i koduar “Kufiri 2” u zhvillua në autostradën “Arbën Xhaferi”, pranë Doganajt në Kaçanik, në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Sipas kryeprokurorit Burim Çerkini, tre persona janë arrestuar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Dyshohet se në këtë aktivitet kriminal është i përfshirë edhe një zyrtar policor, ndaj të cilit ka nisur hetimi nga Inspektorati Policor i Kosovës.
Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe tri automjete, një motor me katër rrota dhe 680 euro para të gatshme.
Detajet mbi aksionin u bënë të ditura nga Reshat Murseli nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Ai tregoi se njëri prej automjeteve të dyshuara nuk iu bind urdhrit të policisë dhe tentoi të largohej me shpejtësi, duke shkaktuar disa aksidente dhe duke lënduar tre këmbësorë.
Sipas tij, automjeti goditi edhe një makinë policie, duke rrezikuar jetën e efektivëve.
Në këto kushte, një prej zyrtarëve policorë qëlloi me armë në drejtim të automjetit, duke detyruar drejtuesin të ndalonte.
“Atëherë, njëri nga zyrtarët policorë, duke i dhënë edhe urdhër të qartë policor për ndalje, ka bërë edhe një shkrepje të armës në drejtim të veturës”, deklaroi Murseli.
I dyshuari nuk pësoi lëndime dhe u arrestua në vendngjarje, pasi iu dha ndihma mjekësore.
Operacioni është konfirmuar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.




