Temperaturat e larta të verës dhe rritja e numrit të turistëve kanë sjellë fluks vizitash në Pediatrinë e Spitalit Rajonal të Vlorës.
Shefja e pavijonit, Rita Llanaj, thotë se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 55 vizita në ditë dhe 35 shtrime, ndërsa më të prekurit janë fëmijët me viroza sezonale, probleme respiratore, alergji dhe pickime nga insektet.
Mes pacientëve ka edhe shumë fëmijë të ardhur nga qytete të tjera dhe turistë që kalojnë pushimet në Vlorë. Ata paraqiten me simptoma të ndryshme që lidhen kryesisht me temperaturat e larta.
Prindërit, sipas mjekëve, duhet të tregojnë kujdes të veçantë gjatë ditëve të nxehta, duke i mbajtur fëmijët të hidratuar, me konsum të bollshëm lëngjesh dhe ushqime të lehta e të freskëta.
Po ashtu, ajo këshillon shmangien e ekspozimit në diell gjatë orëve të pikut dhe kërkimin e menjëhershëm të ndihmës mjekësore në rast se fëmijët shfaqin temperaturë të lartë apo vështirësi në frymëmarrje.





