Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime të mira me Iranin dhe se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje që mund t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se ushtria amerikane do të rifillojë sulmet ajrore nëse negociatat nuk sjellin rezultate.
“Po zhvillojmë bisedime të mira. Mendoj se ka shumë mundësi që diçka të ndodhë, dhe nëse ndodh, mirë. Nëse jo, kthehemi të bëjmë atë që po bënim dy ditë më parë”, tha Trump.
Gjatë një tubimi elektoral në Michigan, Trump mbajti një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit, duke thënë se Irani nuk mund të detyrohet përmes presionit politik.
“Nuk mund t’i korruptosh. Duhet t’i mundësh dhe ne do t’i mundim tmerrësisht. Por do të shohim se si do të dalë. Tani për tani, po zhvillohen negociata shumë miqësore”, tha Trump.
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të presidentit amerikan, tensionet në rajon mbeten të larta.
Arabia Saudite, Jordania dhe Iraku raportuan sulme me dronë duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e pauzës ushtarake.
Pavarësisht pasigurisë politike dhe ushtarake, çmimet e naftës kanë shënuar rënie, pasi tregjet reaguan ndaj mundësisë së një zgjidhjeje diplomatike.





