Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë Qeverinë e re, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i siguroi dot 61 mandate. Pro propozimit ishin vetëm 56 vota, ndërsa 52 ishin kundër dhe 4 abstenime.
PDK, LDK dhe AAK akuzuan Kurtin si përgjegjës të krizës disamuajore institucionale.
Lexo edhe :
Përpara votimit, në fjalën e tij, kreu i Vetëvendosjes u shpreh se nuk kishte arritur të siguronte koalicionin për të qeverisur.
“Asnjëra nga partitë parlamentare, të cilave u bëmë ftesë, nuk ka pranuar që të hyjë në bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar që të kishte koalicion. Po të pranohej oferta, sot do t’i kishim ofruar vendit qeverinë, por do t’i kishim edhe numrat që ta kalonim sfidën e presidentit.”
Më tej, Kurti i bëri thirrje të gjithë deputetëve të votojnë në interes të vendit. Por mesa duket, ai nuk arriti t’i bindë.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se votimi tregoi se nuk do të ketë më “Qeveri Kurti 3”.
“Sot përfundimisht u vërtetua ajo çka kemi thënë – Albin Kurti po e mban vendin peng sepse nuk i ka votat. 56 vota për Kurtin dhe asnjë më shumë. Ky është fundi i një mashtrimi politik që vendit i ka kushtuar edhe me izolim, edhe me përçarje. E kam thënë dhe po e përsëris prapë, Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër i Kosovës. Koha e qeverisjes së tij ka marrë fund.”
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nënvizoi se vendi nuk ka shumicë parlamentare dhe se, sipas të gjitha gjasave, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Nuk ka shumicë në Republikën e Kosovës – iu kam thënë nga dita e parë. Sipas të gjitha gjasave, po, në zgjedhje të jashtëzakonshme.”
Kryeparlamentari Dimal Basha deklaroi se pas kësaj seance përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani. Kushtetuta e Kosovës përcakton që, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidentja duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
Nëse edhe kjo nuk funksionon, atëherë zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve pas këtyre konsultimeve.
/vizionplus.tv






