Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një masiv me ullishte në fshatin Grizë, pranë Borizanës, duke shkaktuar edhe djegien e një banese.
Vatra e zjarrit është aktivizuar prej mesditës së sotme dhe është përhapur me shpejtësi në plantacionet me ullinj, duke rrezikuar përhapjen në sipërfaqe të tjera.
Në vendngjarje janë angazhuar tre mjete zjarrfikëse, të cilat vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të emergjencës, banesa në Grizë është shkrumbuar nga zjarri. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Forcat zjarrfikëse vijojnë operacionin për vënien nën kontroll të situatës dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.





