Subscribe

 

Kjo derë ku për vite fëmijë e të rritur kanë hyrë për të ndjekur shfaqjet në çadrën e cirkut është hapur me forcë sot nga përmbarimi. Përpjekja për ta mbyllur këtë çadër vijon prej dy vitesh, njëlloj si pikëpyetja e madhe nëse fëmijët shqiptarë do të mund ta njohin këtë gjini artistike në të ardhmen.

 

Ndoshta nuk është në epokën e artë ky institucion, por shkollat angazhohen që ne orët të lira t’i prezantojnë të vegjlit me magjinë dhe ngjyrat e cirkut. Kjo nuk do të ndodhë më nëse cirku kombëtar mbyll çadrën, përpjekje që siç duket nuk i lëviz nga vendi personat e ngarkuar me këtë detyrë nga zyra e përmbarimit. Ndërhyrja e tyre ka krijuar tension mesditën e sotme në çadër.

 

Që nga hera e fundit kur artistët u mblodhën për të mos lejuar shkatërrimin e historisë së këtij vendi, ishte njoftuar se zyra përmbarimore do ta zbatonte vendimin e gjykatës për ti kthyer pronarit, 400 metrat e fituara edhe në gjykatë, në shtator. Por, nuk ndodhi kështu. Për artistët që sapo kanë marrë lejet vjetore, të hedhësh derën e cirkut në korrik në një kohë kur askush nuk mund ta mbrojë, është një akt i padrejtë.

 

Por, nuk është kështu për zyrën e përmbarimit. Përfaqësuesja ligjore pranon se institucioni është njoftuar për këtë ndërhyrje.

 

Aktualisht, artistët kanë lënë pushimet dhe janë mbledhur në çadër. Premtojnë se do të qëndrojnë në skenë nga mëngjesi në darkë.

 

Frika më e madhe e artistëve nuk është vetëm e ardhmja e tyre, por edhe e fëmijëve që kanë stërvitur për vite, historia e këtij vendi që do të shumohet, por edhe një alternativë më pak për argëtimin e të vegjëlve. E njëzëri mund të thonë vetëm: “uleni çadrën se ne do të flijohemi këtu, për sa kohë shteti nuk di ku të na çojë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *