Në zemër të Shkodrës, turistë vendas dhe nga e gjithë bota, kanë mundësi të njihen me një prej periudhave më të errëta të Shqipërisë, përmes muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i ngritur për të ruajtur dhe dokumentuar persekutimin politik gjatë regjimit komunist. Vit pas viti ai ka nxitur kureshtjen e vizitorëve për t’u njohur nga afër me një prej burgjeve që ekzistonte në mes të qytetit, e ku sot qelitë, dokumentet dhe objektet brenda tij, janë një dëshmi edhe për brezin e ri.
“Është një trend me rreth 30 përqind i rritjes se vizitorëve dhe ne jemi te lumtur sepsë kjo dëshmon për punën e përditshme në muze dhe interesin që ka për këtë gjë”, thotë Pjerin Mirdita, përgjegjës i muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”.
Një nga thirrjet e drejtuesve të muzeut është që të rinjtë të njihen me këtë periudhë.
“Të shohësh të rinj që jetojnë jashtë dhe vijnë këtu të njihen me këtë pjesë tonë të dhimbshme të historisë është diçka që dëshmon për interesin në këtë drejtim. Por edhe ne që jetojmë këtu duhet të punojmë në këtë drejtim”, thotë Mirdita.
Një grup të rinjsh nga Italia që vizituan këto mjedise, shprehen se ajo që ka kaluar vendi ynë eshte një histori e panjohur më parë për ta.
“Na kanë shpjeguar historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist. Dhe tani po vizitojmë këtë muze. Kemi mbetur shumë të habitur, sepse askush prej nesh nuk dinte për këto gjëra. Na kanë goditur shumë këto persekutime të detyruara në nivel fetar, jo vetëm të të krishterëve, por pikërisht të të gjithë atyre që kishin besim ndaj diçkaje. Dhe një murgeshë, në veçanti, na tregoi se ishte e detyruar të thoshte rruzaresën në mbrëmje, fshehurazi, dhe në shkollë nuk mund të zbulonte se dinte, apo edhe vetëm të bënte shenjën e kryqit. Kjo na ka tronditur shumë, duke qenë se ne kemi qenë gjithmonë të lirë të praktikojmë besimin tonë.”
“Në fillim, duhet të them se jam interesuar pak për historinë e martirëve shqiptarë të shpallur shenjtorë. Kështu që, duke u marrë me këtë temë, fillova të interesohem edhe për atë që kishin përjetuar konkretisht, përfshirë torturat. Dhe kjo më ka bërë shumë përshtypje, sepse kur mendon për gjithçka që u ka ndodhur atyre, sidomos kur bëhet fjalë për vetëm rreth 50 vite më parë, është një përvojë që të lë një ndjesi shumë të fortë. Po, kam parë edhe disa dokumentarë shumë interesantë, madje në gjuhën italiane, të cilët përmes intervistave tregojnë se çfarë ndodhte gjatë periudhës së diktaturës. Kjo është edhe më e rëndësishme sepse në Itali pothuajse askush nuk e njeh këtë periudhë të historisë.”
Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” është hapur në vitin 2012 i ngritur në ish burgun e ish-degës së brendshme të Shkodrës ku janë mbajtur të burgosur dhe janë torturuar gjatë hetuesisë të burgosurit politikë.





