E diel, 15 Nëntor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 19:40 Në vijim ora 19:40: E-Zone Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

DETAJE/ Antidroga bleu kokainë për të zbuluar rrjetin, si ranë në kurth dy të rinjtë

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni antidrogë “Momenti”, i finalizuar nga Antidroga e Tiranës, ku u arrestuan dy të rinj dhe u sekuestruan 252 gramë kokainë.

Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj mëson se Antidroga e Tiranës kishte të paktën dy muaj që i mbante nën vëzhgim dy të rinjtë, përmes metodave proaktive të hetimit.

Donald Frate, 26 vjeç, dyshohet se kishte rolin e furnizuesit të lëndëve narkotike, ndërsa 18-vjeçari Darlin Shahinas dyshohet se shërbente si shpërndarës.

Për finalizimin e operacionit, hetuesit kanë kryer blerje të simuluara të lëndës narkotike. Sipas të dhënave të hetimit, droga sigurohej në qytetin e Elbasanit, ndërsa Antidroga e Tiranës ka nisur verifikimet për identifikimin e personave që dyshohet se janë të përfshirë në furnizimin me kokainë.

Reklamë

Sipas hetimeve, furnizuesit kishin kërkuar 8,500 euro për 250 gramë kokainë.

Frate dyshohet se, krahas aktivitetit të paligjshëm, ishte i punësuar si menaxher në një lokal të frekuentuar kryesisht nga të rinjtë. Sipas hetuesve, lokali dyshohet se përdorej edhe për shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Operacioni u finalizua pasi 18-vjeçari Shahinas u kap në flagrancë në rrugën “Egnatia”, teksa i dorëzonte Frates një çantë me 211 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Gjatë kontrollit të banesës së Shahinasit u gjetën edhe 41 gramë të tjera kokainë. Në total, policia sekuestroi 252 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një automjet tip “BMË” dhe tre telefona celularë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë