Fakulteti i Ekonomisë vijon të jetë një nga zgjedhjet kryesore të maturantëve ndër vite. Edhe këtë vit ndërsa procesi i regjistrimeve po afron, pritet të ketë interes të lartë, në degë si Ekonomiks, Financë apo Administrim Biznesi.
Sipas dekanit të këtij fakulteti, Bernard Dosti, krahas Mjekësisë dhe Teknologjisë së Informacionit, Ekonomiku renditet në programe me interes të lartë. Referuar programeve që fakulteti ofron, Informatika Ekonomike po shënon kërkesën më të lartë, viteve të fundit.
“Vit pas viti, kur publikohen të dhënat, Fakulteti i Ekonomisë është një nga programet më të kërkuara. Referuar kërkesave, ato janë pak a shumë të njëjta. Në numër, interesi pak më i madh është për Informatikën Ekonomike”, tha Dosti.
Në momentin e regjistrimit në fakultet, maturantët mund të regjistrohen edhe për të ndjekur studimet plotësisht në gjuhën angleze, për të katër programet.
“Një tjetër risi është mundësia që të katër programet të ndiqen plotësisht në gjuhën shqipe ose angleze”, shtoi decani i Ekonomikut.
Përveç programeve të studimit, fakulteti thekson edhe lidhjen e fortë me tregun e punës, që vazhdimisht kërkon këto profesione. Një pjesë e të rinjve, punësohen që gjatë viteve të studimeve.
Në ciklin Bachelor, Fakulteti i Ekonomisë ofron katër programe studimi: Administrim Biznesi, Financë-Kontabilitet, Ekonomiks dhe Informatikë Ekonomike, me rreth 1200 kuota në total.





