Ambasada Gjermane në Tiranë ka përshëndetur mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit.
Përmes një reagimi zyrtar, ambasada mirëpriti zhvillimin e Konferencës së nëntë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, ku u mbyllën përkohësisht Kapitujt 25 (Shkenca dhe Kërkimi), 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe 30 (Marrëdhëniet me Jashtë).
Sipas Ambasadës Gjermane, ky zhvillim dëshmon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fusha kyçe të politikave të Bashkimit Evropian, për të thelluar bashkëpunimin në kërkimin shkencor dhe inovacion, për të forcuar marrëdhëniet në arsim dhe kulturë, si edhe për të kontribuar në rritjen e sigurisë ekonomike të BE-së.
Në deklaratë vlerësohen përpjekjet e autoriteteve shqiptare për arritjen e këtij hapi, ndërsa theksohet se është e rëndësishme të ruhet i njëjti ritëm edhe për kapitujt e mbetur të negociatave.
Ambasada shpreh besimin se Shqipëria do të vazhdojë reformat me vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete e të qëndrueshme, veçanërisht në fushën e “Themeloreve”, që konsiderohet kyçe në procesin e anëtarësimit.
Në përfundim, Gjermania rikonfirmon mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shpreh pritshmërinë për përparim të mëtejshëm në negociata, bazuar në arritjet konkrete të vendit dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara.
“Mirëpresim Konferencën e nëntë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe mbylljen e përkohshme të Kapitujve 25, 26 dhe 30 – kapitujt e parë që u mbyllën në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Kjo tregon gatishmërinë e Shqipërisë për t’u integruar në fushat kryesore të politikave të BE-së, për të thelluar bashkëpunimin në kërkim shkencor dhe inovacion, për të promovuar marrëdhënie më të ngushta arsimore dhe kulturore dhe për të kontribuar në forcimin e sigurisë ekonomike të BE-së.
Ne vlerësojmë përpjekjet e ndërmarra nga autoritetet shqiptare për të arritur këtë moment historik dhe i inkurajojmë ato të ruajnë këtë dinamikë pozitive gjatë punës së mëtejshme për kapitujt e mbetur. Kemi besimin se Shqipëria do të ndërtojë mbi këtë progres, do të vazhdojë kursin e saj të reformave me të njëjtën vendosmëri dhe do të arrijë rezultate konkrete dhe të qëndrueshme – edhe në fushën e Themeloreve.
Konfirmojmë mbështetjen tonë në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe presim përparim të mëtejshëm në procesin e pranimit, bazuar në arritjet e veta dhe përmbushjen e kritereve të dakordësuara”, thuhet në reagimin e ambasadës.





