Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Antimafian e Barit, ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një grupi kriminal të dyshuar për pastrim parash dhe trafik droge, me aktivitet në Itali dhe Shqipëri.
Në kuadër të operacionit janë lëshuar gjithsej 15 masa sigurie. Deri më tani, 6 masa janë ekzekutuar në Itali dhe 4 në Shqipëri.
Në Shqipëri është arrestuar Ergys Kastrati alias “Bishja”, i shpallur prej dy vitesh në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Bashkë me të janë arrestuar edhe bashkëshortja e tij, Desmira Ceco, si dhe dy shoferë të dyshuar për transportimin e parave të pista.
Ndërkohë, në Itali masa e sigurisë i është komunikuar Igli Kamberit, i konsideruar kreu i grupit kriminal, i arrestuar që në korrik të vitit 2025. Ai akuzohet, ndër të tjera, për vrasjen e një 26-vjeçari në Barletta të Italisë. Pikërisht hetimet për këtë ngjarje çuan në zbulimin e rrjetit kriminal dhe aktivitetit të pastrimit të parave.
Lidhur me operacionin, kreu i SPAK, Klodian Braho, zhvilloi një konferencë të përbashkët me autoritetet italiane, ku e cilësoi aksionin si rezultat të një hetimi të gjatë dhe të koordinuar mes dy vendeve.
“Ky operacion është rezultat i një hetimi të përbashkët, të gjatë dhe të koordinuar, të zhvilluar në kuadër të një skuadre të përbashkët hetimore. Në vijim të hetimeve janë caktuar nga të dy autoritetet 15 masa, 10 prej të cilave janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. Është një element shumë i rëndësishëm i këtij rasti jo vetëm goditja e aktivitetit të trafikimit të drogës, por edhe goditja e pasurive që kanë rrjedhur nga trafikimi i lëndëve narkotike”, deklaroi Braho.
Ai bëri të ditur se gjatë hetimeve janë sekuestruar rreth 1 milion euro cash, ndërsa janë vendosur në sekuestro edhe automjete, llogari bankare dhe pasuri të tjera që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.
“Gjatë hetimeve janë sekuestruar në total rreth 1 mln euro para në gjendje cash. Nga Gjykata e Posaçme ne Tiranë pas kërkesës së Prokurorisë janë sekuestruar pasuri të tjera, automjete, llogari bankare të cilat dyshohetese vijnë nga aktivitetet kriminale. Ajo që unë dua të theksoj dhe të vë në dukje është që ky rezultat nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por është vazhdimësi e disa skuadrave të mëparshme hetimore mes Barit dhe Prokurorisë së Posaçme”, tha Braho.
Braho theksoi se operacioni është vazhdimësi e bashkëpunimit të mëparshëm mes SPAK dhe autoriteteve italiane.





