E martë, 20 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Temperatura të larta në Holandë, mbi 900 viktima

Më shumë se 900 persona humbën jetën në Holandë gjatë valës ekstreme të të nxehtit që goditi vendin nga 22 qershori deri më 5 korrik, sipas Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM).

Sipas të dhënave të publikuara nga RIVM dhe të raportuara nga transmetuesi publik NOS, shkaku i saktë i vdekjeve nuk është konfirmuar, por instituti vlerëson se është “shumë e mundshme” që temperaturat e larta të kenë ndikuar në humbjen e jetëve. Shumica e viktimave ishin mbi 80 vjeç.

Reklamë

RIVM theksoi se të moshuarit janë më të rrezikuar gjatë periudhave të nxehtësisë ekstreme, pasi organizmi i tyre e përballon më vështirë temperaturën e lartë, djersit më pak dhe ka më shumë gjasa të dehidratohet. Rrezik të shtuar kanë edhe personat me sëmundje kronike të zemrës, enëve të gjakut dhe mushkërive, pasi nxehtësia mund të përkeqësojë gjendjen e tyre shëndetësore.

Instituti bëri të ditur gjithashtu se cilësia e dobët e ajrit gjatë kësaj periudhe e rriti më tej rrezikun për grupet më të ndjeshme të popullsisë.

Reklamë

Vdekshmëria mbi nivelin e pritshëm u regjistrua në të gjitha rajonet e Holandës, ndërsa numri më i lartë i viktimave u shënua në jug dhe lindje të vendit, ku temperaturat ishin më të larta. Edhe pse u vu re rritje e vdekjeve në të gjitha grupmoshat, ajo ishte më e theksuar tek personat mbi 80 vjeç.

Vetëm gjatë periudhës 22–28 qershor u regjistruan 586 vdekje shtesë, mbi 100 më shumë se vlerësimi fillestar i autoriteteve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë