Tetori, muaji i leximit, përjetohet gjithmonë në Shqipëri si një periudhë e veçantë për lexuesit, shkollat, bibliotekat dhe libraritë.
Është një festë e fjalës së shkruar dhe një thirrje për të gjithë që të marrin në dorë një libër, duke lënë pas zhurmën e përditshme dhe duke u zhytur brenda tij. Por ndërsa tetori sjell me vete këtë atmosferë entuziaste për leximin, një tjetër realitet qëndron në prapaskenë: sfidat e librit në kohën moderne. Në një botë gjithnjë e më të mbingarkuar me teknologji, a po humb libri atë rëndësi që dikur e kishte? Sa lexojnë shqiptarët? Çfarë lexojnë? A e ka ndryshuar teknologjia librin? Lexohet më shumë letërsia shqiptare apo ajo e huaj?
Të gjitha këto u diskutuan në “Vizioni i Pasdites” me moderatoren Brikena Prifti në kuadër të tetori si muaj i librit.
Shkrimtarja dhe përkthyesja Diana Çuli tha se shqiptarët lexojnë, por nuk lexojnë letërsi shqipe. Ajo theksoi se nëpër shtëpitë botuese ka shumë shitje, çka do të thotë se shqiptarët lexojnë, por zgjedhin kryesisht libra të huaj.
Pedagogia Anisa Ymeri rrëfeu se gjatë eksperiencës së saj nëpër auditore, ka kuptuar se nuk ka më studentë të nivelit të mesëm. Znj. Ymeri tha se ka disa studentë ekselentë dhe pjesa tjetër janë analfabetë.
Gazetari dhe kritiku letrar Agim Baçi tha se kohët e fundit është bërë rrezikshmëri aplikacione si chat GPT. Ai theksoi se shkolla dhe universiteti kanë për detyrë të përgatisin lexues të mirë.
Pjesë nga biseda:
Çuli: Telefoni ka zëvendësuar librin, edhe kur doli kinematografia, filmi e uli pak rëndësinë e librit. Por, unë nuk mendoj se ka rrezik se libri ka për të vdekur ndonjëherë
Ymeri: Unë jam kundër në thonjëza fushatave, “fushatë për fushatë” por kjo e librit është ndryshe. Në muajin tetor bëhen fushata nga shumë institucione dhe në nëntor pastaj që është panairi. Lexuesit kanë mundësi të takojnë shkrimtarë. Ka më shumë rëndësi tani që një shqiptar të takoj shkrimtarin. Ne nuk kemi politika të mërfillta që i orentojnë qytetarët drejt leximit. Së pari të lexuarit nuk mund të shkëputen nga edukata në familje, nga raporti që ka mësuesi i cikli të ulët me nxënësin, nga raporti i shkollës dhe bibliotekës së shkollës me nxënësit, dhe sidomos universiteti dhe biblioteka e universitetit me studentin. Shtojmë faktin që nuk kemi një bibliotekë të madhe në qytet. Të gjitha këto hallka duhet të funksionojë që nesër të kemi një inxhinier të mirë, një mjek të mirë.
Çuli: Njerëzit lexojnë në Shqipërinë, por nuk lexojnë sa 30-40 vite më përpara. Por, shqiptarët lexojnë sepse ndryshe nuk do kishte shtëpi botuese. Librat shiten dhe lexohen. Ka të rinjë që lexojnë shumë, por nuk lexojnë letërsi shqipe. Kjo është shumë e rrezikshme. Kjo është një prirje që po ndodh. Prindërit janë të lumtur që fëmija e tyre lexon anglisht. Por, duhet të lexojnë shqip, nuk ka si gjuha jonë.
Ymeri: Edhe unë e ndesh në punën time këtë mburrjen e prindërve. Fëmija do ketë një pjesë të mozaikut të vetë të mangut, nëse nuk lexon letërsi shqipe.
Çuli: Ka mbetur një paragjykim që nuk përkthehen mirë librat. Ka dhe një numër të madh që nuk studiojnë dhe rrinë në telefon
Prifti: E ndjen Ymeri tek studentët këtë?
Ymeri: Ka disa vite që po. Ka një numër të rinjsh që janë shumë të formuar, shumë të kultivuar dhe pjesa tjetër pastaj, diferencë e dukshme. Kemi analfabetë funksionale dhe të rinjë të shkëlqyer. Nuk ka një të mesme. Në 10-vjeçarin e ardhshëm do kemi një disbalancë të dukshme
Çuli: Shkrimtari mund të dëshpërohet, por nuk do heqi kurrë nga libri sado lexues të ketë vendi ynë.
Baçi: Letërsi pa lexues nuk ka. Lexues të mirë ka më pak se shkrimtarë të mirë. Ka qenë dëshira ime të shkruaj për gjithë librat që lexoj. Universiteti ka për detyrë të përgatisë lexues të mirë. Lexuesi kultivohet, shkrimtari lind. Njoh shumë persona që dashurinë për letërsinë e kanë filluar nga mësuesi i tyre i letërsisë. Si do bëhesh kritik kur s’ke letërsi. Ne e pranojmë letërsinë kur na e pranojnë të huajt. Ne kemi ardhur nga një kulturë që pëlqenim atë që pëlqente partia. Një lexues për mua është një hero. Nxënësit më të mirë nuk vinë më për letërsi, sepse ne e kemi shpërfilluar rolin e mësuesit. Nëse ata nuk dinë është faji ynë që skemi dituar t’ua japim.
Ymeri: Ne jemi shoqëri që bibliotekën nuk e kemi institucion. Ne mund të bëjmë debate leximi, por nëse një fëmije, adoleshenti, të riu nuk i orientojmë mirë e kemi humbur betejën. Për vite me rradhë, besoj 20 vite janë futur libra dhe shkrimtarë gjithfarë. Nëse i jep një fëmije një libër të keq, i prish për gjithë jetën dëshirën për të lexuar
Baçi: Ka qenë plagjatura e rrezikshme. Por, tani na rrezikon Chat GPT se të bën poet brenda natës. /vizionplus.tv





