Situata në fshatin Hasturkas, të njësisë administrative Libofshë vijon të mbetet problematike edhe 24 orë pas daljes së lumit Seman nga shtrati, ndonëse niveli i ujit ka shënuar një rënie të lehtë.
Sipas banorëve të zonës, uji është ulur rreth 20 cm, por pavarësisht kësaj, 20 banesa vazhdojnë të jenë të përmbytura, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme edhe në stane, sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore, kultura të mbjella.
Nga ana tjetër, situata mbetet alarmante për shkak të çarjes së argjinaturës në disa segmente, fakt që sipas banorëve përbën një rrezik serioz, pasi parashikohen reshje të reja shiu dhe ekziston frika e një vërshimi të dytë të ujit.
Sipas të dhënave nga terreni, situata po shkon gradualisht drejt normalizimit. Disa banorë mbetën të izoluar për shkak të përmbytjes, por janë evakuuar dhe sistemuar në zona të sigurta, jashtë rrezikut nga uji.
Edhe Fusha e Maliqit vijon të mbetet nën pushtetin e ujit.
Sipas specialistëve, kjo situatë është shkaktuar nga reshjet e pazakonta të muajve të fundit, të cilat kanë sjellë edhe çarjen e digës së lumit Devoll në dy raste, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën në terren.
Ndërkohë, drejtues të Bordit Rajonal të Kullimit në Korçë, të kontaktuar lidhur me këtë situatë, bëjnë me dije se ekziston një projekt i cili parashikon forcimin e argjinaturave dhe jo thjesht riparimin e tyre. Kjo me synim një zgjidhje të qëndrueshme për zonën me nje vlere te parashikuar qe shkon deri ne 1 milion euro.





