Mazhoranca socialiste në Komisionin e Ligjeve miratoi e vetme disa ndryshime në ligjin për shërbimin sekret shqiptar, ligj i cili nuk kishte ndryshuar prej 21 vitesh, nga maji i vitit 2005.
Opozita votoi kundër dhe nënkryetar i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ngriti disa shqetësime në lidhje më këtë ndërhyrje duke u ndalur së pari tek forcimi i kompetencave të qeverisë, sipas tij, mbi institucionin.
“Që në momentin kur është Këshilli i Ministrave që përcakton një seri elementësh siç është edhe paga, dhe më pas edhe rregullime të tjera të brendshme që i jepen në dorë drejtorit për të përcaktuar mënyrën se si kontrollohen punonjësit etj, fillon krijohet një linjë varësie nga Këshilli i Ministrave. Ndërkohë që vetë ligji në fuqi parashikon që Shërbimi Informativ kontrollohet nga Kuvendit”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i PD.
“SHISH është një institucion që u shërben të gjithë shqiptarëve, nuk i shërben politikës. Dhe ndërhyrjet që janë bërë, nuk janë bërë për të forcuar rolin e ekzekutivit”, u shpreh Amarda Dhima, drejtor juridik, SHISH
Bylykbashi ngriti shqetësimin se kompetenca që i jep shërbimit të drejtën për të mbledhur informacion për “stabilitetin e brendshëm”, krijon hapësirë për abuzime.
“Me këtë term “stabilitet i brendshëm” mund të nënkuptohet edhe ndjekja e opozitës e cila mund të përbëjë problem për Kryeministrin, apo e aktorëve të tjerë të shoqërisë të cilët mund të perceptohen si faktorë që destabilizojnë qeverinë”, shtoi Bylykbashi.
Bylykbashi solli si shembull edhe rastin e protestës së qytetarëve të cilën dikush mund të shohë si cënim të stabilitetit të brendshëm
“Se mund të mëndojë shërbimi informativ me një propozim nga Kryeministri që ajo protesta që është sot në rrugë mund të përbëjë cënim të stabilitetit të brendshëm. Askush nuk e di këtë. Dhe nëqoftëse ju filloni të infiltroni për këtë, kjo mund të jetë një shkelje shumë e madhe e Kushtetutës”, tha Bylykbashi.
“SHISH nuk është autonom si institucion, ka kontroll të përditshëm nga Inspektori i Kryeministrit, i cili është i pavarur në shërbim. Ka kontroll dhe raportim në Komisionin për Çështjet e Brendshme, ka kontroll nga Presidenti i Republikës. Dhe nuk është e vërtet që ka kontroll vetëm nga Kryeministri”, theksoi Dhima.
Drafti i miratuar nga Komisioni i Ligjeve ka vetëm 8 nene dhe ai bën disa rregullime në ligjin që ishte shumë i vjetër duke hequr termin “Kuvendi Popullor” apo duke i ndryshuar emrin nga “Shërbimi Informativ Kombëtar” në “Shërbimi Informativ i Shtetit”. Por gjithashtu projektligji rregullon disa prej kompetencave të shërbimit sekret si dhe përjashton punonjësit e këtij shërbimi nga detyrimi për deklarim e kontroll të pasurisë.





